Si nëpër filma/ Policia ndjek makinën e vjedhur nga dy persona në Elbasan, ata “zhduken” pasi mjeti mori flakë

Policia e Elbasanit ka njoftuar se po kërkon dy persona të cilët dyshohet se gjatë natës kanë vjedhur një automjet, në rrugën e vjetër “Elbasan-Tiranë”.

Ngjarja ka ndodhur në fshatin Petresh, kur dy të rinjtë i kanë marrë automjetin tip “Ford”, shtetasit R. Ll., 28 vjeç.

Policia ka pikasur automjetin që këta dy shtetas kishin vjedhur dhe i ka bërë shenjë për të ndaluar, por shoferi nuk i është bindur urdhërit dhe ka vijuar lëvizjen me shpejtësi.

Për t’iu shmangur Policisë, 2 personat e kanë braktisur automjetin, pasi dyshohet se gjatë ecjes u përfshi nga flakët, në fshatin Dopaj.

Nga veprimet e para hetimore, si dhe bazuar në informacionet e siguruara, Policia ka krijuar dyshime të arsyeshme për autorët e këtij rasti. Vijon puna për kapjen e tyre dhe për zbardhjen e plotë të rrethanave të rastit.