Si e “rrahën” sërish Rrajat shtetin dhe shoqërinë

Ndryshimi i akuzës së Prokurorisë ndaj anëtarëve të fisit Rraja në Fushë-Krujë u kthye në një valë zemërimi online të shumë qytetarëve.

Ndonëse Prokuroria e Tiranë e regjistroi fillimisht aktin e dhunës me shkopa besjbolli ndaj dy shtetasve kushërinj të fisit Maja, si “plagosje e rëndë me dashje”, Prokuroria ndryshoi qëndrim, duke lehtësuar akuzën në “plagosje e lehtë.

Lexo edhe: https://ditar.al/dhunuan-barbarisht-2-persona-prokuroria-e-tiranes-lehteson-akuzen-per-rrajat-tashme-gjykohen-vetem-per-plagosje-te-lehte/

Edhe pse ende në kërkim nga Policia prej afërsisht dy muaj, djali i ish deputetit dhe xhaxhai i tij, duket se do ia hedhin me një gjobë. Vetëm akuza ndaj plagosjes së rëndë do mund t’i çonte ata në burg pasi kjo vetëm parashikon 3 deri në 10 vite burgim.

Por gjatë kësaj kohe, pavarësisht deklaratave publike të ministrit të Brendshëm Taulant Balla, duket që fisi Rraja ka arritur të mundë të gjithë sistemin dhe madje shoqërinë.

Lexo edhe: https://ditar.al/shpallet-ne-kerkim-djali-i-deputetit-rrahman-rraja-si-u-tentua-te-fshihej-prezenca-e-tij-ne-videon-e-dhunes/ 

Prokurori i çështjes i ka besuar ekspertizën e dëmtimeve ekspert Elton Serani. Si ekspert mjeku-ligjor, rrahjen barbare të Jashar dhe Bilbil Maja në Fushë-Krujë. me shkopa bejsbolli dhe qyta pistolete, në 24 korrik, ai e ka cilësuar si plagosje të lehtë. Por ky ekspert është i njëjti mjek që ka ekspertuar dhe Xhensila Malokun për dhunë fizike, për të cilën u dyshua si autor dhe më pas u dënua Rexhep Rraja.

Ç’ka e bën më qesharake këtë situatë është se një ditë më parë, ministri i Brendshëm Taulant Balla vizitoi Fushë-Krujën nga ku deklaroi se Policia e Shtetit nuk do lejojë më të fortët të ngrejnë kokën. “Policia e Shtetit duhet t’i garantojë mbështetje dhe se do të bëjmë gjithçka që në territorin e kësaj republike të mos më ketë feude apo bajraqe, ku mbi ligjin dhe mbi qytetarët të jenë të fortët dhe nuk mund të ketë individë më të fortë, sesa e bardha e vijave të rrugës apo e kuqja e ngjyrës së semaforëve”, tha Balla, një ditë para se të dilte lajmi se Prokuroria ka “amnistuar” dhunën e të fortëve të fushë-krujës.

Por ndryshimi i akuzës për shtetasit e fisit Rraja në kërkim, duket se nuk është aspak rastësi. Prej disa ngjarjesh të rënda, anëtarët e këtij fisi i kanë shpëtuar ndëshkimit të ligjit, pikërisht për shkak të lidhjeve të forta që ata kanë me politikën dhe shtetin. Ish deputeti, Rrahman Rraja, i cili la mandatin pas skandalit, dhe që ka ende djalin e tij në kërkim nga Policia, ka qënë mjaft i afërt me ministrin aktual të brendshëm Taulant Balla.

Rrahman Raja, deputet nga viti 2017, prej vitesh i siguronte Partisë Socialiste në Fushë-Krujë një numër të konsiderueshëm votash, ndaj edhe mbrojtja e shtetit për anëtarët e fisit të tij ka qenë gjithmonë prezente. Skandalet e njëpasnjëshme nuk e penguan ish-deputetin të vazhdonte i qetë mandatin, pavarësisht se anëtarët e fisit të tij u akuzuan edhe për vrasje.

Pika e fundit që derdhi gotën ishte ngjarja e 24 Korrikut, pasi Rrajat jo vetëm që dhunuan barbarisht dy kushërinjtë, por edhe e filmuan ngjarjen dhe e publikuan, si për të treguar se ata ishin sunduesit e asaj zone, madje edhe mbi shtetin.

Influenca që kishin në Komisariatin e Fushë Krujës ishte e frikshme, pasi ishin vetë drejtuesit e këtij komisariati ata që i njoftuan Rrajat për denoncimin ndaj tyre, si dhe u vonuan të shkonin në vendngjarje ku ishin rrahur barbarisht Bilbil e Jashar Maja.

Ky veprim solli fillimisht shkrirjen e Komisariatit të Fushë Krujës, ndërsa më pas ngjarja i “hëngri kokën” ministrit të Brendshëm, Bledi Çuçit. Ndoshta ngjarja do të ishte mbajtur e fshehur dhe asgjë nuk do t’u kishte ndodhur Rrajave nëse ajo video do të publikohej, ashtu siç kishte ndodhur edhe më herët me skandalet e tjera, por mendjemadhësia dhe siguria se ishin mbi çdo gjë u kushtoi shumë, ose të paktën kështu mendohej deri dje.

Sot, anëtarët e fisit Rraja janë më të qetë, pasi gjithë ato skandale u kanë hequr vetëm një mandat deputeti të Rrahman Rrajës, ndërsa aktiviteti i gurores së bllokuar vijon ende, si për të treguar se edhe njëherë tjetër, ata e “rrahën” shtetin, jo nga forca, por nga paaftësia e çdo institucioni për të vendosur drejtësi.

Lexo edhe : https://ditar.al/rrajat-te-zhytur-ne-krim-e-gurore-biznesi-me-guret-u-ble-23-dite-para-dhunes-barbare-u-hodhen-227-mln-leke-per-guroren-inert-07/