Elton Qyno
Shkëmbi gëlqeror dhe granit i zonës së Fushë-Krujës, është kthyer në biznesin më të lakmuar të familjes së ish-deputetit të PS, Rrahman Rraja në Krujë.
Të gjithë vëllezërit janë zhytur në formacione të ndryshme shkëmbore, ku përmes shpërthimeve me tritol, kanë krijuar gropa të mëdha, duke nxjerë prej andej granil, gëlqere dhe mermer.
Përveç, Xhelal Rrajës, Përparim Rrajës, djalit të këtij të fundit Ineidi Rraja, prej 23 ditësh në biznesin e guroreve ka hyrë dhe vëllai tjetër, Flamur Rraja.
Tashmë ky i fundit, së bashku me Xhelalin dhe Përparim Rrajën është shpallur në kërkim për masakrimin me shkopa bejzbolli dhe pistoleta, kushërinjtë Bilbil dhe Jashar Maja.
23 ditë para se të ndodhte dhuna barbare në ambjentet e lokalit “Fergen”, Flamur Rraja, ka firmosur një kontratë, duke blerë aksionet e një gurore të quajtur “Inert 07”.
Në 13 qershor 2023, një kontratë e firmosur jo përpara noterit, tregon se Flamur Rraja, është bërë aksioner me të drejta të plota në guroren “Inert 07”.
Biznesi është blerë tek Gani Farruku, Luan Shehu dhe Lulzim Haka, kundrejt shifrës financiare prej 227 milion lekë të vjetra. Në një kohë kur kapitali i kompanisë së themeluar prej dhjetor 2003, është 455 milion lekë të vjetra.
Hyrja në këtë biznes i Flamur Rrajës, ka shtuar rradhët e anëtarëve të famijes Rraja në këtë fushë.
Vëllai tjetër Përparim Rraja, disponon kompaninë e gurores “Rraja Ndërtim”, të cilën në vitin 2022 ia ka shitur kundrejt 1 milion lekë të vjetra djalit të tij,tashmë të arrestuar për dhunën Ineidi Rraja.
Përparim Rraja, rezulton të jetë pronar dhe tek kompania tjetër e gurores “Doku P”, përmes së cilës kishte bashkuar agregatet dhe interesat me kompaninë e Viktor Delia, duke kryer punime në guroren pranë fshatit Borizan.
Ky biznes i pakontrolluar rreptësisht nga institucionet përgjegjëse shtetërore, solli shqetësim për banorët e Burizanës, të cilët ju plasën banesat për shkak të shpërthimeve të pakontrolluara.
Kjo gjëndje më pas u agravua ku tre nga vëllezërit si Xhelal Rraja, Përparim Rraja, Flamur Rraja së bashku me djemtë, nipat dhe rrethin e tyre shoqërur sulmuan barbarisht me armë dhe sende të forta, dy kushërinjtë Belbil dhe Jashar Maja.
Tashmë tre vëllezërit janë shpallur në kërkim së bashku me Rrexhep Rrajën, djalin e deputetit të PS, Rrahman Rraja,të cilët akuzohen për “Plagosje të rëndë me dashje”.
Rrajat mes krimit, politikës dhe guroreve
Anëtarë të familjes Rraja në Krujë, vitet e fundit janë përfolur në disa ngjarje kriminale, por për shkak të lidhjeve të forta politike dhe biznesin, kanë arritur në disa momente ti shpëtojnë arrestimit.
Në zonën e Krujës dhe Fushë-Krujës, kanë krijuar një ndikim të jashtëzakonshëm në popull, duke “shtypur” këdo që mund ti kundërvihet qoftë dhe ligjërisht.
Historia e zezë dhe lidhja e tyre me krimin është trashëguar nga prindërit tek fëmijët, ku djali i Xhelal Rrajës, Ramazan Rraja, aktualisht ndodhet në burg si njëri nga pjesëmarësit në atentatin ndaj Landi Muharremit alias “Rrumit të Shijakut”, Andi Malokut dhe prokurorit Arjan Ndoj.
Ramazan Rraja, kërkohet dhe nga autoritet Belge, pasi në shkurt 2023 u dënua me 12 vite burgim dhe 40 mijë euro gjobë, për “Trafikim të kokainës” dhe “Organizatë kriminale”. Ramazan Rraja, është shpallur në kërkim dhe si person i dyshuar për një ngjarje në Lezhë, por që më pas u pushua nga prokuroria.
Histori kriminale në periudhën e viteve 1997 dhe 1998, sipas oficerit Emiljano Nuho ka dhë babai i tij, Xhelal Rraja.
Në vijim të kriminalitetit është dhe Redjan Rraja, i cili është arrestuar dhe SPAK ka kërkuar burgim të përjetshëm për sulmin me armë ndaj Landi Muharremit dhe dy personave të tjerë.
Nga ana tjetër Përparim Rraja, vëllai i deputetit të PS, Rrahman Rraja, është hetuar për trafik droge dhe grup të strukturuar kriminale në atë që quhet dosja “Viluni”, me Bardhok Pllanaj dhe persona të tjerë deri në Tepelenë.
Ndërsa vëllai tjetër, Rrahmani, ka mbajtur staturën e shtetarit, duke qënë kryetar Komune dhe më pas deputet i Kuvendit të Shqipërisë.
Rrahman Rraja, gjatë këtyre viteve si deputet i PS, më tepër është lakuar për përfshirjen e njerëzve të familjes së tij në krime, se sa për nismat ligjore dhe aktivitetin politik. Rraja, ishte një deputet inekzistent në parlamentin shqiptar.