Dhunuan barbarisht 2 persona, Prokuroria e Tiranës lehtëson akuzën për “Rrajat”, tashmë gjykohen vetëm për plagosje të lehtë

Prokuroria e Tiranës e ka cilësuar plagosje të lehtë dhunën barbare të anëtarëve të fisit Rraja ndaj Bilbil e Jashar Majas.

Ngjarja ndodhi në Korrik të këtij viti, ku disa anëtarë të fisit Rraja, përfshirë vëllanë dhe djalin e ish-deputetit Rrahman Rraja, dhunuan me shkopa bejsbolli dhe me qyta pistolete dy kushërinjtë, për shkak se këta të fundit kishin denoncuar në polici shpërthimet në guroren e Rrajave.

Por edhe pse hetimi filloi për “plagosje të rënë me dashje, në bashkëpunim”, tashmë Prokuroria e Tiranës sipas një akti ekspertimi mjeko ligjor, dhuna barbare e anëtarëve të fisit Rraja në Fushë Krujë është cilësuar si plagosje e lehtë me dashje.

Cilësimi i dëmtive ndaj dy personave të dhunuar si dëmtime të lehta, i hap rrugën dështimit të çështjes, pasi vepra penale ndiqet vetëm me ankimin e dy të dëmtuarve. Pra, nëse heqin dorë dy të dëmtuarit nga kallëzimi në polici, ccështja pushohet automatikisht.

Vepra penale e Plagosjes së lehtë me dashje hyn në kategorinë e veprave penale që ka një marsh dënimi nga gjobë deri në maksimum dy vite burgim.

Kujtojmë se Redjan Rraja, djali i ish-deputetit është shpallur në kërkim, pasi autoritetet ende nuk lanë mundur ta gjejnë se ku ai fshihet.