Sherri për parkimin, si ndodhi vrasja e 33 vjeçarit në Shkodër, në kërkim fqinji i tij

Një ngjarje e rëndë ndodhi rreth orës 22:00 të mbrëmjes së djeshme në Shkodër, ku 33 vjeçari Valter Fierza mbeti i vdekur pasi u qëllua me breshëri kallashnikovi nga fqinji i tij, Klodian Mhilli, i cili është shpallur në kërkim nga policia.

Burime bëjnë me dije se konflikti nisi mes autorit të vrasjes dhe vëllait të viktimës, të cilët debatuan për parkimin e një automjeti. Debati nisi në një lokal afër banesave, teksa në konflikt u përfshi edhe viktima.

Pas debatit, autori Mhilli mori armën dhe qëlloi për vdekje 33 vjeçarin. Menjëherë pas të shtënave dolën familjarët e viktimës, të cilët e gjetën Valter Mhillin pa jetë në mes të rrugës. Pas vrasjes, autori u largua në drejtim të paditur.

Sipas informacioneve paraprake, autori dhe viktima nuk kishin pasur ndonjë konflikt të mëparshëm, ndaj dyshohet se debati ka qenë i çastit, por që rezultoi fatal për 33 vjeçarin. Policia ka rrethuar zonën dhe ka ngritur  grupe kontrolli për të mos lejuar që autori të largohet.