Kryetari i Partisë Mundësia, Agron Shehaj Deputeti reagoi përmes një videoje të publikuar në rrjetet sociale, duke denoncuar atë që ai e cilëson si një nga skandalet më të rënda të sabotimit të drejtësisë në Shqipëri.
Sipas Shehajt, institucione shtetërore kanë bashkëpunuar për zhdukjen e provave të një hetimi të SPAK, duke vënë shtetin në mbrojtje të të korruptuarve dhe të krimit të organizuar.
Shehaj akuzon drejtpërdrejt kryeministrin Edi Rama për mbrojtjen e të hetuarve, sulme ndaj drejtësisë dhe kërkon dorëheqjen e tij, si dhe zhvillimin e zgjedhjeve të parakohshme.
Zbardhja e fjalës së Agron Shehaj:
Është e pabesueshme ajo që po ndodh me drejtësinë. Para disa ditësh prokuroria ka shkuar në vilën e Ergys Agasit dhe në kantinë ka gjetur një koleksion verash prej të paktën 3 mln euro, me një vlerë prej të paktën 3 mln euro. Ka komunikuar me doganat dhe i kërkuar doganave që të shkojnë ta sekuestrojnë mallin. Por, doganat çfarë bëjnë?
I kthejnë përgjigje prokurorisë dhe i thonë: “Sot është shumë vonë, tani është shumë vonë, është natë. Do të shkojmë nesër në mëngjes.” Ndërkohë lajmërojnë të afërmit e Ergys Agasit, të cilët shkojnë, marrin verën, prishin provat, prishin dhe kamerat e sigurisë dhe ikin. Qartësisht të nesërmen doganat shkojnë dhe thonë: “Na vjen keq, por aty nuk kishte më mall.” Kjo është ajo që po ndodh. Kjo është arsyeja pse SPAK-u kërkon arrestimin e të akuzuarve. Por nëse ky është një tregues i qartë i bashkëpunimit midis krimit të organizuar dhe shtetit, imagjinoni sesi prishen provat nga drejtorat e KESH-it, OSHEE-së apo të AKSH-it, të cilët pavarësisht se SPAK-u i ka marrë në hetim. Disa prej tyre janë në arrest shtëpie, Edi Rama nuk i lëshon. Imagjinoni sesi i prish provat Belinda Balluku, për të cilën po ashtu SPAK-u ka kërkuar arrestin e saj, por Edi Rama e ka marrë në mbrojtje. Kjo po ndodh në Shqipëri! I gjithë shteti është vendosur në mbrojtje të të korruptuarve dhe të kriminelave dhe kundër SPAK-ut. Rama vazhdon duke i sulmuar. Sot ka dalë dhe ka thënë: “Prokurorët dhe gjykatësit që janë vërsulur Arkës së shtetit”. Imagjinoni, kjo është çmenduri! Edi Rama duhet të japë dorëheqjen! Duhet të kemi zgjedhje të parakohshme sa më shpejt! Nuk mund të vazhdohet më në këtë mënyrë. Tani e ka nxjerrë kokën. Edi Rama është i korruptuar me të korruptuarit!