Arresti për Vlora Hysenin dhe kontrollet në banesën e Ilir Prodës, SPAK me njoftim zyrtar! Dy akuzat që rëndojnë ndaj drejtueses së SHISH

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka dalë me njoftim zyrtar për aksionin e kësaj të marte, ku ka caktuar 3 masa sigurie.

SPAK njofton se ndaj drejtueses së Shërbimit Informativ Shtetëror janë caktuar masat “Arrest në shtëpi” dhe “Pezullim i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik”, e hetuar për veprat penale: “Përkrahja e autorit të krimit” dhe “Zbulimi i akteve ose të dhënave sekrete” te grupet kriminale.

Për Fatjon Kalluçin, me detyrë “Përgjegjës Sektori” në Institutin të Policisë Shkencore u caktuar “arrest me burg”, për veprën penale: “Zbulimi i akteve ose të dhënave sekrete”.

E njëjta masë u caktua edhe Embro Suljemanin, punonjës i shoqërisë “Agroturizëm Kodra e Kuajve”, si person nën hetim për veprën penale: “Përkrahja e autorit të krimit”.

Ndërkohë Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionit dhe Krimin e Organizuar, ka lejuar kontrollin e banesës dhe kontrollin personal të shtetasit Ilir Prodës, ish-drejtues i Policisë së Shtetit.

Gjithashtu janë kryer kontrolle edhe në kompleksin e vilave që ndodhen në adresën; kryqëzimi i rrugës “Durrësi në Shekuj” dhe rrugës “Bajram Tusha”, në zonën e Shkozet, Durrës.

SPAK ekzekuton masa të reja sigurimi dhe kontrolle vendesh në kuadër të procedimit penal nr. 20/1 të vitit 2025

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar po kryhen hetime në kuadër të procedimit penal nr. 20/1 të vitit 2025.

Pas kërkesës së Prokurorisë së Posaçme, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionit dhe Krimin e Organizuar,  me vendimin nr. 67, datë 21.9.2026 ka caktuar këto masa sigurimi:

  1. “Arrest në shtëpi” dhe “Pezullim i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik”, parashikuar nga nenet 237 dhe 242 të Kodit të Procedurës Penale, ndaj shtetases V. H., me detyrë Drejtor i Shërbimit Informativ Shtetëror (SHSH), si person nën hetim për veprat penale të parashikuara nga nenet 320/2 dhe 295/a/1 të Kodit Penal.
  2. “Arrest në burg”, parashikuar nga neni 238 i Kodit të Procedurës Penale për shtetasin F.K., me detyrë “Përgjegjës Sektori” në Institutin të Policisë Shkencore, si person nën hetim për veprën penale të parashikuar nga neni 295/a/1 i Kodit Penal.
  3. “Arrest në burg”, parashikuar nga neni 238 i Kodit të Procedurës Penale për shtetasin E.S., punonjës i shoqërisë “Agroturizëm Kodra e Kuajve”, si person nën hetim për veprën penale të parashikuar nga neni 302/2 i Kodit Penal.

Këto vendime i janë dërguar Policisë së Shtetit e cila ka ekzekutuar dy prej tyre.

Me vendimin nr. 618, datë 20.9.2026, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionit dhe Krimin e Organizuar, ka lejuar kontrollin e banesës dhe kontrollin personal të shtetasit I.P., ish funksionar i lartë i Policisë së Shtetit.

Me vendimin nr. 619, datë 21.9.2026, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka lejuar kontrollin e kompleksit të vilave që ndodhen në adresën; kryqëzimi i rrugës “Durrësi në Shekuj” dhe rrugës “Bajram Tusha”, në zonën e Shkozet, Durrës.

Prokuroria e Posaçme falënderon Policinë e Shtetit për mbështetjen në ekzekutimin e këtyre vendimeve.