Rreth 100 familje në Korçë të cilat kanë përfituar nga banesat sociale prej Bashkisë janë ngritur sot në protestë, pasi ky institucion ka vendosur rritjen e qirave.
Banorët të cilët prej 10 vitesh i kanë përfituar këto apartamente me qira të ulët i përkasin kategorive në nevojë dhe thonë se e kanë të pamundur të përballojnë këtë rritje çmimi.
Në mbledhjen e Këshillit Bashkiak është vendosur me shumicë votash nga këshilltarët e majtë që rritja e çmimit të bonuseve të qerave të jetë për garsionieret 700 lekë, për apartamentet 1+ 1, 1300 lekë dhe 1600 lekë për apartamentet 2+ 1.
Ky vendim kundërshtohet nga banorët për shkak se të ardhurat e tyre janë minimale ndërsa kanë paralajmëruar vazhdimin e protestave. Pavarësisht se kanë vite që paguajnë këto qira banorët theksojnë se kur janë strehuar nga bashkia u është premtuar edhe privatizimi.
Në Korçë janë gjithsej 98 familje që preken nga rritja e nivelit të qerasë. Sipas banorëve vetëm 20% e tyre janë në marrëdhënie pune ndërsa pjesa tjetër është me probleme të shumta ekomomike me pension invaliditeti dhe pleqërie.