Rithemelimi kallëzon Ramën në SPAK: Turi i kryeministrit në diasporë, 2 mln euro dëm ekonomik buxhetit të shtetit

Rithemelimi ka kallëzuar në SPAK kryeministrin Edi Rama në lidhje me turin e diasporës, që kreu i qeverisë e ka nisur me Athinën për të vijuar më tej me Milanon, Londrën dhe Duseldorfin.

Sekretari për Diasporën në PD e Rithemelimit, Indrit Hoxha në fjalën e tij për mediat u shpreh se kryeministri Edi Rama po zhvillon një tur takimesh me diasporën me paratë e taksapaguesve shqiptarë.

Sipas tij, këto takime do i shkaktojnë buxhetit të shtetit, një dëm ekonomik prej 2 milionë euro.

“Kryeministri i vendit nuk ka pasur një protokoll zyrtar për takimet e tij në Diasporë. Ata janë takime në cilësinë e kryetarit të PS-së dhe jo si kryeministër i vendit dhe nuk kanë pse të rëndojnë në xhepat e qytetarëve, takimet e tij.

E ripërsëris ftesën për kryeministrin, nëse e ka seriozisht këtë tur, të vijë me mua dhe të shkojmë në kampin e azilkërkuesve në Francë.

Ai ka përdorur administratën, për të shkuar në takimin e tij në Athinë. Kjo është e patolerueshme për opozitën.

Shifrat e takimeve të Ramës në 5 vende e kalojnë shifrën e 2 milion eurove. Por përvec këtyre, është edhe detyrimi i administratës publike për t’u organizuar dhe për të shkuar në këto vende.