Pedagogë, studnetë dhe përfaqësues të shoqërisë civile kanë dalë këtë të premte në një protestë para rektoratit të Universitetit të Tiranës.
Aksioni vjen pasi një javë më parë, në prag të zgjedhjeve në universitete, studiuesi Taulant Muka publikoi dy kallëzime ndaj rektorit të Universitetit të Tiranës, Artan Hoxha dhe dekanes së Fakultetit të Drejtësisë, Dorina Hoxha, të cilët i akuzon për plagjiaturë me temat e tyre të doktoraturës.
Sipas kallëzimeve të Mukës, të cilat u janë dërguar një sërë institucionesh përfshi edhe Presidentin e Republikës, rektori dhe dekania i kanë kopjuar tezat e tyre të doktoraturës, i pari nga një studiuese rumune dhe e dyta nga studiues italianë.
Qëndresa Qytetare i ka bërë thirrje ministres së Arsimit, Ogerta Manastirliu për pezullimin e Rektorit dhe të zgjedhjeve universitare më 21 qershor, deri në shqyrtimin e plagjiaturës.
“Ky fakt publik në media dhe i denoncuar në organet kompetente do duhej të kishte tronditur Ministrinë e Arsimit, Parlamentin, Akademinë e Shkencave, grupet e interesi dhe shoqërinë, pasi po flasim për një institucion arsimor që prodhon elitat e këtij vendi, e kur rektori e pranon plagjiaturën sot, kush do t’u kërkojë llogari studentëve të tij për plagjiaturë nesër?“, u tha ndër të tjera nga aktivistët.
Në një reagim për BIRN rektori Hoxha ka mohuar akuzat, ndërsa këmbënguli se nuk kishte bërë plagjiaturë edhe pse pranoi se pjesa për legjislacionin e huaj nuk ishte një studim i tij.
“Qëndresa Qytetare në nisje të procesit zgjedhor shprehu shqetësimin se 90% e universiteteve në Tiranë dhe 50% e fakulteteve të UT kanë 1 kandidat në këto zgjedhje, duke reflektuar mungesën e hapësirës për alterantivat dhe kapjen e universitetit.
Prej një javë është bërë publik një fakt skandaloz, ai i plagjiaturës së doktoraturës së Rektorit të Universitetit të Tiranës, Artan Hoxha, dhe Dekanes së Fakultetit të Drejtësisë, Dorina Hoxha ,fakte të cilat tregojnë se në Universitetin e Tiranës është vrarë meritokracia në emër të nepotizmit dhe vjedhjes, u shpreh aktivisti i Qëndresës Migen Qiraxhi.
Ky fakt publik në media dhe i denoncuar në organet kompetente do duhej të kishte tronditur Ministrinë e Arsimit, Parlamentin, Akademinë e Shkencave, grupet e interesi dhe shoqërinë, pasi po flasim për një institucion arsimor që prodhon elitat e këtij vendi, e kur rektori e pranon plagjiaturën sot, kush do t’u kërkojë llogari studentëve të tij për plagjiaturë nesër?
Përballë këtij realiteti që ka bërë që Universiteti i Tiranës pavarësisht kapaciteteve akademike në çdo rankim ndërkombëtar të renditet i fundit në Europë sa i përket cilësisë, Qëndresa Qytetare bëri publike kërkesat e saj:
-Qëndresa Qytetare i kërkon shqyrtimin me urgjencë Këshillit të Etikës të plagjiaturave të doktoraturës së Rektorit Artan Hoxha dhe Dekanes së Fakultetit të Drejtësisë Dorina Hoxha.
- Qëndresa Qytetare i kërkon Minsitres së Arsimit Ogerta Manastirliu, të pezullojë Rektorin Hoxha dhe procesin zgjedhor deri në shqyrtimine plotë të denoncimit të plagjiaturës.
-Qëndresa Qytetare i kërkon Rektorit Artan Hoxha dorëheqje nga gara për Rektor të Universitetit të Tiranës dhe një ndjesë publike nga ndaj pedagogëve, studentëve dhe publikut.
-Qëndresa Qytetare i kërkon Komisionit Institucional Zgjedhor anulimin e zgjedhjeve në Universitetin e Tiranës dhe hapjen e garës me proces vlerësimi lirgjor të titujve akademik apo kontroll antiplagjiaturë për kandidatë në universitete.
-Kërkesa e fundit e Qëndresës Qytetare i drejtohet pedagogëve dhe arsimtarëve, ku u kërkojmë të distancohen nga vjedhja intelektuale dhe financiare e drejtuesve të Universitetit dhe të ngrenë zërin për çdo padrejtësi dhe abuzim.
Nuk kanë për te ardhur ditë më të vështira per vendin kur univirsitetet ndodhen të fundit në Europë dhe drejtuesot bëjnë sikur asnjëgjë nuk ka ndodhur, përmbyllën përfaqësuesit e Qëndresës.
Qëndresa Qytetare ashtu sikurse ka ngritur zërin kundër përfshirjes së krimit të organizuar në zgjedhjet në Universitet do vijojë të ngrejë zërin deri në çlirimin e Universitetit nga akademikët me plagjiaturë dhe jomeritorë”, thuhet në reagim.
Edhe pse denoncimet për plagjiaturë në rrethin akademik shqiptar kanë qenë të shpeshta, ato janë anashkaluar dhe nuk janë shoqëruar me penalitete apo heqje titujsh shkencorë.