Reforma e rrezikshme/ Kuvendi me 101 deputetë, si Rama po tenton të vrasë pluralizmin politik dhe partitë e vogla

Në një kohë kur Shqipëria ka nevojë për më shumë diversitet politik dhe për një sistem që përfaqëson të gjithë qytetarët, kryeministri Edi Rama po ndërmerr një reformë që mund të ketë pasoja të rënda për pluralizmin dhe demokracinë e vendit.

Propozimi i tij për të pasur një Kuvend me 101 deputetë, në vend të 140 që janë aktualisht, nuk është asgjë tjetër veçse një përpjekje e kryeministrit për të “vrarë” partitë e vogla, që treguan edhe në zgjedhjet e 11 Majit se kanë fituar një mbështetje të madhe të qytetarëve që janë lodhur nga të njëjtët njerëz në pushtet prej më shumë se 30 vitesh.

Në 11 Maj, partitë e vogla dhe të reja morën më shumë se 170 mijë vota, ose pak më tepër se 10%, duke arritur të nxjerrin 4 mandate deputetësh, nga të cilët: 2 Partia Mundësia, 1 Lëvizja Bashkë dhe 1 Shqipëria Bëhet, ndërsa partitë e tjera nuk arritën të merrnin të paktën një mandat.

Me një tjetër Kod Zgjedhor, rezultati i këtyre partive do të ishte edhe më i madh, duke i prishur punë si mazhorancës, ashtu edhe opozitës.

Por, nëse Kuvendi i Shqipërisë do të kishte vetëm 101 deputetë, kjo do të thotë se mundësia e përfaqësimit për partitë e vogla do të ishte minimalizuar ndjeshëm. Në një sistem të tillë, partitë e vogla, që tashmë kanë vështirësi për të siguruar një numër të mjaftueshëm votash për të hyrë në Kuvend, do të përballeshin  edhe me një pengesë shumë më të madhe për të qenë pjesë e politikës.

Pra, ky propozim është një tentativë për të krijuar një sistem dominimi të dy partive të mëdha: Partisë Socialiste dhe Partisë Demokratike. Por, ky propozim është edhe ndërhyrje në strukturën e pluralizmit politik, duke lejuar që dy partitë e mëdha të konsolidojnë më tej pushtetin e tyre.

Pluralizmi politik është shtylla e çdo demokracie funksionale, por kjo reformë e paralajmëruar nga Rama nuk bën gjë tjetër veçse e dëmton këtë pluralizëm.

Në vend që të promovohet një sistem që inkurajon shumë parti të konkurrojnë për të ofruar alternativa dhe ide të ndryshme, ky propozim vetëm sa i jep më shumë pushtet dy partive të mëdha, të cilat kanë më shumë mundësi të manipulojnë rezultatin e zgjedhjeve dhe të ruajnë pushtetin pa pasur frikë nga konkurr`enca.

Shqiptarët kanë nevojë për një sistem politik që nxit konkurrencën dhe që i jep mundësi të gjitha grupeve të shprehin idetë dhe interesat e tyre, jo për një sistem që lejon vetëm dy parti që drejtohen nga dy individë me pushtet absolut të vendosin për jetën e shqiptarëve.

Nëse ky propozim bëhet realitet, që me shumë gjasë do të ndodhë, Shqipëria rrezikon të kthehet në një vend me një politikë të bllokuar dhe të kontrolluar, ku dy partitë e mëdha do të mbeten të pandryshueshme dhe çdo mundësi për ndryshim do të zhduket.