Rama pranon se “Open Balkan” ka përfunduar: BE na mbështet, ne merremi me Oso Kukën

Misioni i “Open Balkan” ka përfunduar. Kështu ka deklaruar kryeministri Edi Rama në një intervistë të dhënë për ‘Euronews Albania’ nga Ulqini, aty ku ishte ftuar në koncertin e tenorit Ramë Lahaj dhe për aktivitete të tjera. Rama u pyet për vijimin e iniciativës “Open Balkan”, të cilin ai e mbështeste shumë. Kjo iniciativë kërkonte pjesëmarrjen e 6 vendeve por me sa duket u mbyll pa sukses të madh, pasi morën pjesë vetëm Shqipëria, Maqedonia dhe Serbia.

Rama tha se “Ballkani i Hapur ishte një iniciativë që lindi nga nevoja për ta shtyrë përpara Procesin e Berlinit dhe e ka kryer atë mision për të cilin lindi”. Mospjesëmarrja e Kosovës në të ka qenë shpesh arsye për thumbime nga ana e kryeministrit Rama drejt Albin Kurtit.

“Ne duhet të futemi me kokë tani në Procesin e Berlinit sepse e kemi këtë mundësi, e kemi Procesin e Berlinit në Tiranë. Tetori erdhi, korriku hyri, si mundet ne ta mbajmë të bashkuar Bashkimin Europian? Se jo të gjithë aty janë të vëmendshëm, jo të gjithë aty e kanë interesin që kanë këta kryesorët për të na mbështetur ne, për të mbështetur Ballkanin Perëndimor, nëse ne merremi me Oso Kukën”, duke ironizuar kështu konfliktin në Kosovë.

Ai shtoi se në tetor Shqipëria pret Samitin e Balkanit dhe planifikon të bëjë takime me gjithë kryeministrat dhe presidentët në rajon për të folur mbi këtë proces dhe për t’iu kërkuar kohezion e bashkëpunim.

E nënshkruar nga tre vende pjesëmarrëse Shqipëri, Maqedoni e Veriut dhe Serbi – dhe me mungesën e tre të tjerave Mali i Zi, Kosovë dhe Bosnje Hercegovin nuk solli rezultate konkrete gjatë këtyre viteve, e madje së fundmi Kosova dhe Serbia janë përfshirë në tensione dhe mosmarrëveshje për Veriun. Kosova nuk pranoi të futej asnjëherë në këtë iniciativë, njëlloj si dy vendet e tjera pasi sipas saj , Serbia krijon destabilitet në rajon dhe ndërhyn në punët e brendshme, ndërsa nuk ka kërkuar ende falje për luftën.

“Open Balkan” që të arrinte qëllimin e saj të vërtetë për një Ballkan të hapur, duhej të kishte jo vetëm pjesëmarrjen e të gjitha vendeve por edhe vullnetin për ta kthyer zotimin në realitet. 

Mbyllja e këtij misioni tregon edhe njëherë se BE-ja vazhdon të mbetet destinacioni i vetëm dhe final ku shtetet e Ballkanit besojnë. BE e ka kusht bashkëpunimin rajonal dhe nxitjen e marrëdhënieve të mira fqinjësore, për mbylljen me sukses të negociatave të anëtarësimit.