Rama i dërgon Begajt vakancën për Bashkinë e Tiranës dhe 5 bashkitë e tjera, a do e zbatojë Presidenti ligjin?

Këshilli i Ministrave ka njoftuar Presidencën për vakancën në Bashkinë e Tiranës dhe 5 bashkitë e tjera: Vlora, Berati, Mati, Cërriku dhe Tepelena, të cilat janë në pritje të zgjedhjeve për kryetarët e rinj.

Por nëse për këto 5 bashki dekretimi i datës së zgjedhjeve do të jetë një formalitet, e kundërta ndodh me Bashkinë e Tiranës.

Erion Veliaj e ka dërguar vendimin e shkarkimit të tij në gjykatën Kushtetuese, e cila do të vendosë nëse largimi i tij nga detyra ka qenë apo jo brenda ligjit.

Ndërkohë, pritet me interes se cili do të jetë vendimi i Begajt, nëse do të presë vendimin e Gjykatës Kushtetuese për çështjen “Veliaj”, siç e kërkon edhe ligji, apo do të vijojë të bëhet noteri i qeverisë, duke dekretuar datën e zgjedhjeve të Bashkisë së Tiranës, duke e shkelur ligjin.

Bajram Begaj ka 48 orë afat për të shpallur datën e zgjedhjeve të pjesshme, të cilat mbahen jo më parë se 30 ditë dhe jo më vonë se 45 ditë nga data e njoftimit të kreut të shtetit.