Një ngjarje e rëndë kriminale ka tronditur zonën e Dukagjinit ditën e djeshme, ku një sulm me armë zjarri ka shkaktuar vdekjen e dy personave dhe plagosjen e një tjetri.
Viktimat janë identifikuar si Prelë Gjoni, 82 vjeç, dhe djali i tij, Lekë Gjoni, 57 vjeç. Në automjet ndodhej edhe Lazër Bashi, i cili u plagos dhe u transportua fillimisht në Spitalin e Shkodrës, ndërsa më pas drejt Tiranës për trajtim të specializuar.
Atentati dyshohet se ndodhi rreth orës 16:00, në rrugën e fshatit Xhan. Babë e bir po udhëtonin me automjet në drejtim të Shkodrës, pasi kishin qenë në banesën e tyre të vjetër në Dukagjin. Në një moment, dy persona të paidentifikuar kanë qëlluar me breshëri në drejtim të makinës.
Në vendin e ngjarjes janë sekuestruar më shumë se 50 gëzhoja, ndërsa burimet paraprake bëjnë me dije se autorët mund të kenë përdorur dy armë, një kallashnikov dhe një MP5.
Pas njoftimit për atentatin, në zonë janë dërguar forca të shumta policie dhe efektivë të RENEA-s. Terreni i vështirë malor ka vështirësuar ndërhyrjen dhe kontrollet për gjetjen e autorëve. Policia është njoftuar rreth orës 17:20, ndërsa grupet e para hetimore kanë mbërritur disa orë më vonë në vendngjarje.
Deri më tani, familjarët kanë deklaruar se viktimat nuk kishin konflikte të njohura dhe nuk kishin marrë kërcënime të mëparshme. Sipas dëshmive të tyre, Prelë dhe Lekë Gjoni kishin shkuar një ditë më parë në banesën e vjetër, ku kishin edhe disa koshere bletësh, dhe po ktheheshin drejt zonës së Grudës, ku jetonin.
Hetuesit po shqyrtojnë disa pista, teksa njëra prej tyre lidhet me jetën private të 57-vjeçarit, i cili ishte divorcuar rreth tre muaj më parë.
Në fokus të hetimit është edhe aktiviteti i Lekë Gjonit. Ai punonte me kamion dhe, sipas të dhënave paraprake, ditët e fundit kishte kryer transport materialesh ndërtimi për një banesë në Gjuraj të Dukagjinit. Gjithashtu, ai dispononte një eskavator me të cilin punonte së bashku me një banor tjetër të zonës.
Autorët vijojnë të jenë të paidentifikuar, ndërsa policia dhe prokuroria po punojnë për zbardhjen e plotë të ngjarjes.