Qeveria po mendon një skemë tjetër pensionesh: Do të paguhen më shumë ata që jetojnë në zonat rurale

Ndërsa pensionistët në Shqipëri janë ndër kategoritë më të diskriminuara në shoqërinë tonë, sa i përket të ardhurave mujore, një skemë e re për pensionet është menduar nga qeveria.

Ish ministrja dhe deputetja e mazhorancës Milva Ekonomi është shprehur se kjo skemë do të jetë e qartë Brenda vitit dhe do të marrë në konsideratë dy elemente kryesor.

“Nuk ka ende detaje konkrete, por në parim dy janë shtyllat kryesore që po shihen. Së pari rezidentët brenda dhe jashtë vendit si dhe pensionistët urban dhe rural. E thënë ndryshe, prioritet në rritjen e pensionit do të kenë ata pensionistë që jetojnë në Shqipëri, më shumë se ata që kanë një rezidencë jashtë Shqipërie. Natyrisht edhe ata jashtë do të përfitojnë rritje pensioni, por me një diferencim në indeksim që bën qeveria vit pas viti. Këto janë planet e ministrisë së Financave”, tha Ekonomi në emisionin E-Zone në Vizion Plus.

 Skema e re ka si fokus edhe adresimin e një fenomeni shumë shqetësues, siç është emigrimi i shqiptarëve nga zonat rurale. 

Kujtojmë se opozita ka kërkuar nga ana tjetër që pensioni minimal të jetë 300 euro, ndërsa ka parashtruar edhe kërkesën për vendosjen e një minimumi jetik për shtresat e varfra në vend.

Ndonëse shoqëria shqiptare po plaket me ritme të shpejta, pensionistët mbeten ndër kategoritë që trajtohen më keq.