Qeveria nuk realizon dot investimet, vetëm 1/3 në punë reale

Teksa të ardhurat buxhetore në vlera neto kanë shënuar përmirësim sidomos dy vitet e fundit, qeveria nuk po tregohet eficiente në krahun e shpenzimeve publike sidomos investimeve. Kontrollorët e menaxhimit financiar, një drejtori brenda Ministrisë së Financave e vlerësuan dobët ecurinë e investimeve gjatë vitit të kaluar.

Raporti i auditit të qeverisë, që tashmë është dorëzuar në Kuvend dha një vlerësim mjaft të ulët për mënyrën se si është realizuar zëri i investimeve buxhetore më 2022, duke e vlerësuar me 1.3 pikë nga 4.5 pikë të mundshme. Performanca e investimeve u realizua me vetëm me 35 për qind të programit vjetor .

“Treguesi “Realizimi i shpenzimeve kapitale” paraqet devijimin nga plani i realizimit i shpenzimeve kapitale në një vit kundrejt shpenzimeve kapitale totale të planifikuara me ligjin e buxhetit vjetor në Kuvend. Shpenzimet kapitale paraqesin planifikimin afatgjatë dhe shpenzimet për asete duke synuar mbështetjen e mirëqenies dhe përmirësimin e shërbimeve publike”, konstatuan auditorët e qeverisë.

Nga të gjitha entet publike, njësitë e vetëqeverisjes vendore kanë devijimin më të lartë, në krahasim me ministritë e linjës dhe institucionet e pavarura. Evidentohet se shkaqet kryesore janë të lidhura kryesisht me problematikat dhe vonesat që ndodhin gjatë kryerjes së procedurave të prokurimit.

Nga analiza e kryer, rezulton se, për disa institucione vijon të mbetet praktikë mosplanifikimi i investimeve përgjatë vitit 2022. Auditorët kërkojnë që institucionet duhet të fokusohen në marrjen e masave për realizimin e këtij treguesi pasi mungesa e injektimit të likuiditetit në ekonomi ndikon ndjeshëm në sigurimin e mirëqenies në vend, në mos-stimulimin e rritjes ekonomike, në hapjen e vendeve të reja të punës apo të ardhurat nga tatimet e taksat.

Që kur Drejtoria e Përgjithshme e Harmonizimit të Kontrollit të Brendshëm Financiar Publik ka nisur të prodhojë raporte realizimi i programit të investimeve ka marrë vlerësime shumë të dobëta.

Të dhëna më të detajuara nga buxheti faktik i vitit 2022 shihet se edhe fondet e përdoruara të investimeve publike shkuan për financimin e shtesave të punimeve në dy lote në aksin e përfunduar Kardhiq-Delvinë në Unazën e re, apo inceneratoret që rezultuan nga hetimet skema tw pastra mashtrimi.

Fondi i investimeve publike në dy vitet e fundit ishte rreth 1 miliardë euro për secilin vit, por prej mosrealizimit të lartë dhe copëzimit në kontrata me kosto të lartë nuk ka produkte të dukshme për qytetarët.

Të dhënat zyrtare nga Ministria e Financave tregojnë se në vitin 2022 fondet për investimet kapitale u realizuan në 112 miliardë lekë nga të cilat 49 miliardë lekë u disbursuan gjatë muajit dhjetor.
Siç shihet nga grafiku bashkëngjitur 44% e fondit vjetor të investimeve u alokua në një muaj. Nga një vëzhgim i pagesave ditore të thesarit në Ministrinë e Financave u pa se gjatë dhjetorit pagesat ditore nga thesari u dhjetëfishuan.

Përfituesit më të mëdha ishin kompanitë e ndërtimit që kishin kontrata me qeverinë kryesisht në rrugë, ujësjellës dhe mirëmbajtje.

Nga janar në nëntor 2022 shpërndaja mujore e investimeve publike ishte nga 1-8 miliardë lekë, ndërsa në muajin dhjetor ishte 49 miliardë lekë./B.Hoxha/MONITOR