Qëlluan me lopatë fqinjët pas sherrit për pronën, arrestohet 56-vjeçari në Lezhë, procedohet i biri

Një sherr për motive pronësie është regjistruar në Lezhë mbrëmjen e djeshme. Një 68-vjeçar ka bërë denoncim në polici se ai dhe djali i tij ishin kanosur dhe goditur me send të fortë nga babë e bir, të cilët janë fqinjët e tyre pas një konflikti për motive pronësie.

Policia arrestoi babain, shtetasi Lek Prenga dhe u procedua djali i tij Zef Prenga, të cilët qëlluan me lopatë fqinjët.

Mësohet se 68-vjeçari Kol Bdreca ka marrë fraktura në kokë dhe ndodhet në spital për ndihmë mjekësore. Sakaq policia ka nisur hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.

Njoftimi i policise:

Kanosën dhe goditën me send të fortë, fqinjët, për shkak të konflikteve për motive pronësie, arrestohet 56-vjeçari dhe procedohet penalisht djali i tij.

Menjëherë pas kallëzimit të një 68-vjeçari, mbrëmjen e djeshme, se 2 shtetas (fqinjë të tyre) kishin kanosur dhe kishin goditur me send të fortë (lopatë), atë dhe djalin e tij, pas një konflikteve për motive pronësie, shërbimet e Komisariatit të Policisë Lezhë kanë organizuar punën për të nxjerrë përpara përgjegjësisë penale, shtetasit përgjegjës.

Për këtë rast u kap dhe u vu në pranga shtetasi L. P., 56 vjeç, si dhe u referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për djalin e tij, shtetasin Z. P., 30 vjeç, të dy banues në fshatin Ungrej, Lezhë.

Rreth orës 19:00, të datës 23.01.2024, dyshohet se për shkak të konflikteve ndërmjet tyre, për motive pronësie, këta shtetas kanë kanosur shtetasit N. K., 68 vjeç dhe S. K., 32 vjeç, si dhe i kanë goditur ata, me një send të fortë (lopatë).

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë, për veprime të mëtejshme.