‘Pse heshtni për nënën e dy fëmijëve?’ Kapri-Ballës në Kuvend: Hipokrizinë nuk e fshihni dot me fjongo rozë

Deputeti i Partisë Mundësia, Erald Kapri ka reaguar gjatë seancës së sotme plenare në Kuvend lidhur me denoncimin e bërë publik nga babai i vartëses së ish- ministres së Infrastrukturës Belinda Balluku për presione ndaj të bijës lidhur me tenderat e hetuar nga SPAK si të paracaktuar nga ish-zv.kryeministrja.

Deputeti i Mundësia përmendi qëndrimin e kreut të grupit parlamentar të PS Taulant Balla për mbrojtjen e grave dhe artisteve, ndërsa e quajti këtë hipokrizi kur e vuri përballë rastit të zonjës Mirzeta Kashnica, ish- vartëse e Belinda Ballukut.

“Taulant Balla nuk mund t’u thotë zonjave socialiste të mbajnë dhe një qëndrim për zonjën Kashnica, nëpunësen publike, nënë e dy fëmijëve, e cila është shantazhuar nga Belinda Balluku siç u transmetua dje në Top Channel.

Që historia e saj është edhe më e rëndë sepse bashkëshorti është detyruar të vrasë edhe veten nga presioni.

A ka hipokrizi më të madhe se kjo seancë sot?”, u shpreh deputeti Kapri.

Denoncimi i shantazhit u bë publik në emisionin investigativ ‘Fiks Fare’, ku babai i Mirzeta Kashnicës tregonte se e bija ka pasur presione të vazhdueshme gjatë kohës që ishte anëtare e Komisionit të Vlerësimit të Ofertave për tenderat në hetim.

REAGIMI I PLOTE I ERALD KAPRIT NE KUVEND

Nuk ka seancë më të turpshme dhe më hipokrite se kjo. Tani imagjinoni një zonjë që vuan nga kanceri dhe shikon deputetët që flasin në Parlament me fjongon rozë këtu dhe i duhet të shkojë tek Onkologjiku. A ka tallje më të madhe se sa kjo?

Po nëse një qytetar ka probleme me pronën e vetë, kë duhet të marrë në Hipotekë ai? Ergys Agasin?
Po nëse një qytetar tjetër ka probleme me Bashkinë e Tiranës, duhet të presë ato orët e lira në burg që të firmosë Erion Veliaj?

Atë presë mesazhin me avatar në rrjetet sociale?

Po a ka hipokrizi më të madhe se sa të dalë Taulant Balla këtu edhe të thotë që gratë socialiste të mbajnë një qëndrim për zonjat artiste që u është dhunuar e drejta e privatësisë, me të drejtë.

Por Taulant Balla nuk mund t’u thotë zonjave socialiste të mbajnë dhe një qëndrim për zonjën Kashnica, nëpunësen publike, nënë e dy fëmijëve, e cila është shantazhuar nga Belinda Balluku siç u transmetua dje në Top Channel.

Që historia e saj është edhe më e rëndë sepse bashkëshorti është detyruar të vrasë edhe veten nga presioni.

A ka hipokrizi më të madhe se kjo seancë sot?