Reforma territoriale, Klosi provokon opozitën: Do të merrni bashki më pak se gishtat e dorës! I kthehet Berisha: Je skllav i bixhozit

Teksa në Kuvend pritet të votohet drafti i PS për reformën territoriale që parashikon shkrirjen e 15 bashkive, deputeti i majtë Blendi Klosi ka provokuar opozitën, e cila kundërshton projektligjin e mazhorancës.

Gjatë debateve në Kuvend, Klosi tha se drafti i tyre do të votohet, ndërsa shtoi se me ndarjen e re territoriale, opozita do të fitojë më pak se pesë bashki.

“Jemi më të fortë se kurrë, të gatshëm t’ju sfidojmë se nga të gjitha bashkitë që do të dalin nga ligji i sotëm, të merrni më pak se gishtat e dorës bashki në zgjedhje”- tha Klosi, duke sfiduar mazhorancën.

“Qytetarët na kanë votuar, masivisht pozitivisht pas asaj që kemi votuar në 2015, sot vazhdojmë marrim vota më shumë. Kjo tregon se këto 61 bashkitë nga 400 që kanë qenë e kanë pranuar me votë… Jemi më të fortë se kurrë, të gatshëm t’ju sfidojmë se nga të gjitha bashkitë që do të dalin nga ligji i sotëm, të merrni më pak se gishtat e dorës bashki në zgjedhje. Nëse nuk bëjmë gabime, të gjitha bashkitë që do të dalin nga ligji i sotëm do t’i fitojmë”, u shpreh Klosi.

Por nuk vonoi përgjigja e Berishës, i cili i tha: “Një njeri që ia ka blerë bixhozi votën, nuk meriton përgjigje. Ai është skllav i vesit. Shumëzojeni me zero diskutimin që bëri”.