Partia Socialiste festoi me vonesë 34 vjetorin e themelimit, për shkak të vizitës të kryesocialistit Edi Rama në SHBA, i cili ishte i ftuar në dasmën e Alex Soros.
Këtë të enjte, jashtë ambienteve të selisë është zhvilluar kjo festë, ku nuk mungoi edhe fjalimi i Ramës. Ky i fundit falënderoi të pranishmit dhe kontribuuesit ndër vite në Partinë Socialiste, ku përmendi Arta Daden dhe Gramoz Ruçin.
“Shqetësohuni në ditën kur do mungoj Gramozi në këtë oborr, por atëherë nuk do jem as unë, kështu që shihni e bëni”- tha Rama.
“Për të mos u zgjatur, se nuk është as kongres, as asamble, por është ditëlindje. Dua të falënderoj të gjithë ata që janë këtu sot, të ftuar, më zunë sytë dy, nga Frok Çupi te Ylli Rakipi.
Froku është më afër tribunës, Rakipi është komplet larg, si për të thënë që unë erdha, por unë nuk jam me ju. Ylli e dimë që nuk je me ne, por mos rri aq i distancuar se dukesh si ata që rrinë si në hije. Po të falenderoja për praninë, jemi shumë të qartë që nuk je me ne. Pavarësisht se mund të rrish me Filip Çakullin, prape se prapë nuk bëhesh me ne.
Dua të falënderoj të gjithë ata që janë këtu përpara meje, dhe që janë gjithmonë të pranishëm në këto sebepe, edhe këtu dy ekstreme do marrë, zysh Artën që nuk më ndahet. Zyshe, shyqyr që të kemi. Edhe shokun Gramoz, që sa kohe që do ta shoh këtu, jam i sigurte që partia është në rrugën e duhur. Shqetësohuni në ditën kur do mungoj Gramozi në këtë oborr, por atëherë nuk do jem as unë, kështu që shihni e bëni”- tha Rama në fjalën e tij.