“Nuk më rruhet as nga burgu dhe as nga SPAK!” Kështu deklaroi dje Monika Kryemadhi, në vazhdim të akuzave që bashkëshorti i saj prej ditësh ka hedhur ndaj Altin Dumanit, kreut të Prokurorisë së Posaçme.
Prej disa muajsh, opozita ka hedhur akuza të forta ndaj SPAK, të cilat nisën të bëheshin gjithmonë e më të forta pas arrestimit të Sali Berishës, teksa tashmë është ish-Presidenti Ilir Meta që jo vetëm ka akuzuar, por edhe ofenduar kreun e këtij institucioni.
Ilir Meta thotë se nuk i trembet SPAK, ashtu siç tha edhe Monika Kryemadhi dje, ashtu siç ka thënë Sali Berisha, Edi Rama, Erion Veliaj, Lulzim Basha, Arben Ahmetaj, Lefter Koka dhe Alqi Bllako.
Asnjë nuk ka frikë nga SPAK, deri në momentin që në derën e tyre troket policia, që mban në duar një urdhër të SPAK për masë arresti. Këtu fillon frika e vërtetë e atyre që në media deklarojnë se nuk i tremben drejtësisë dhe se nuk kanë bërë asnjëherë diçka të paligjshme.
Por, nëse klasës politike i “lejohen” gabimet, pasi korrupsionin te ata është e pamundur ta shkulësh, e kundërta ndodh me Prokurorinë e Posaçme. Këtij institucioni nuk i lejohet asnjë gabim, asnjë amnisti dhe asnjë lëshim, pa dallim krahu politik.
Nëse Monika Kryemadhi tha se “nuk e rruan nga SPAK”, po SPAK, nga kush e rruan?
Sot, pas hekurave të qelive janë disa ish-zyrtarë të lartë të shtetit, një tjetër është në kërkim, ndërsa në dosjet e vendosura në dyshemenë e Prokurorisë së Posaçme, janë edhe emrat e shumë prej zyrtarëve më të lartë që vijojnë detyrën, pavarësisht akuzave.
SPAK ka ende nën hetim inceneratorin e Tiranës, dosjen “5D”, çështjen “McGonigal”, aferën CEZ-DIA e shumë të tjera. A do të tregohet SPAK i drejtë, aspo do të gabojë duke amnistuar ndonjë prej zyrtarëve për shkak të postit që ai ka?
Kjo është sfida e madhe e SPAK, për të treguar se drejtësia në Shqipëri funksionon, pavarësisht se ata që bëjnë sikur e mbështesin dhe nuk i tremben, mundohen me çdo mënyrë ta pengojnë. Është koha që SPAK të tregojë se “nuk e rruan” për asnjë!