Komisioni Europian i bën thirrje shteteve anëtare të adoptojnë aplikacionin për verifikimin e moshës

Komisioni Europian po rrit presionin ndaj vendeve anëtare të Bashkimit Europian për të zbatuar aplikacionin e verifikimit të moshës, i cili synon të forcojë sigurinë e të miturve në internet pa ekspozuar të dhënat personale të përdoruesve.

“Pas përfundimit të punës teknike mbi zgjidhjen evropiane të verifikimit të moshës, ajo është tashmë gati që shtetet anëtare ta përshtatin dhe ta vënë në zbatim,” deklaroi zëvendëspresidentja ekzekutive e Komisionit Europian, Henna Virkkunen.

Sipas Komisionit, aplikacioni është projektuar në mënyrë që përdoruesit të mund të dëshmojnë se plotësojnë një kufi moshe të caktuar, pa pasur nevojë të zbulojnë moshën e saktë, identitetin apo të dhëna të tjera personale.

Komisioni Europian ka miratuar gjithashtu një rekomandim që përcakton pritshmëri të qarta për shtetet anëtare, me qëllim përshpejtimin e përdorimit të mjeteve të verifikimit të moshës në të gjithë BE-në.

“Qëllimi është që qytetarët në Europë të kenë zgjidhje të sigurta, të mbrojtura dhe që respektojnë privatësinë,” u shpreh Virkkunen, duke e paraqitur nismën si pjesë të përpjekjeve për rritjen e sigurisë së fëmijëve në internet.

Aplikacioni pritet të funksionojë në lidhje të ngushtë me zbatimin e Aktit të Shërbimeve Digjitale të BE-së (Digital Services Act), i cili rregullon përmbajtjen dhe platformat online.

Megjithatë, projekti ka hasur edhe kritika nga sektori i teknologjisë. Disa ekspertë paralajmërojnë se një sistem i tillë mund të rrezikojë anonimitetin online dhe të krijojë mundësi për rrjedhje masive të të dhënave personale.

Komisioni Europian thekson se aplikacioni nuk ka për qëllim kufizimin e të drejtave të të rriturve, por mbrojtjen e të miturve nga përmbajtjet e papërshtatshme në internet.

Virkkunen pritet t’ua prezantojë këtë nismë edhe qeverive të shteteve anëtare gjatë një takimi në Qipro, në kuadër të përpjekjeve për ta bërë funksional në të gjithë Bashkimin Europian.

Sipas planit të BE-së, sistemi i verifikimit të moshës mund të përdoret si aplikacion i pavarur ose të integrohet në një “portofol identiteti digjital”, të cilin shtetet anëtare duhet ta ofrojnë për qytetarët e tyre deri në fund të vitit 2026.