Universiteti i Vjenës në Austri ka anuluar papritur ceremoninë e ndarjes së një çmimi për një nga matematikanët dhe autorët më të njohur të vendit, Rudolf Taschner.
Sipas raportimeve, vendimi lidhet me deklaratat kritike të Taschner-it mbi ndryshimet klimatike, studimet gjinore dhe çështje të tjera akademike dhe shoqërore.
Kryetari i Senatit të Universitetit, Stefan Krammer, deklaroi për gazetën Die Presse se kishte pasur “shqetësime lidhur me komentet e Taschner-it në raport me evidencën, autonominë dhe lirinë akademike, veçanërisht për çështjet e ndryshimeve klimatike si dhe studimet gjinore dhe postkoloniale”.
Krammer shtoi gjithashtu se Taschner kishte kritikuar më herët edhe udhëzimet e financimit të Fondit Austriak të Shkencës.
Taschner është një nga figurat më të njohura shkencore në Austri, i njohur për librat e tij të shumtë të popullarizimit të shkencës dhe për kolumnat në media të mëdha austriake. Në vitin 1999, një asteroid u emërua në nder të tij. Që nga viti 2017, ai është edhe deputet i Partisë Popullore Austriake (ÖVP).
Ai ishte planifikuar të merrte “Diplomën e Artë të Doktoraturës” nga Universiteti i Vjenës më 13 maj, së bashku me dy kolegë të tjerë. Ky është një çmim nderi që universiteti jep 50 vjet pas diplomimit, për ish-studentët me arritje të shquara akademike ose kontribute të jashtëzakonshme profesionale.
Sipas raportimeve, Taschner kishte përgatitur tashmë fjalimin e pranimit kur ceremonia u anulua.
Sipas disa vëzhguesve, një nga faktorët që mund të ketë ndikuar në vendim ka qenë edhe kritika e tij ndaj një financimi prej 400,000 eurosh nga Fondi Austriak i Shkencës për një projekt arti mbi estetikën e gjumit, të cilin ai e kishte quajtur “të padobishëm” dhe “hedhje parash”. Kjo deklaratë thuhet se ka shkaktuar reagime të forta në rrethet akademike.
Vendimi i Universitetit të Vjenës ka ngjallur reagime të shumta kritike në opinionin publik.
Sekretari i përgjithshëm i ÖVP-së, Nico Marchetti, deklaroi se “censura ideologjike në shkencë nuk duhet të tolerohet” dhe i bëri thirrje universitetit të rikthehet te parimet e tij bazë.
Ndërkohë, Franz Schellhorn nga think-tanku pro-biznes “Agenda Austria” e quajti anulimin “çmenduri, thjesht çmenduri”.
Edhe disa zëra nga spektri i majtë janë shprehur të befasuar nga vendimi. Shkrimtari gjerman Hasnain Kazim deklaroi se është “absurde që një opinion, edhe nëse i papërshtatshëm, të çojë në mosvlerësimin e arritjeve matematikore që duhen nderuar”, duke shtuar se një qasje e tillë është “e padenjë për një shoqëri të lirë”.