Një efektiv i forcave “Shqiponja” ka mbetur i plagosur me thikë mesditën e sotme në qytetin e Durrësit. Ngjarja ka ndodhur në lagjen nr.1 të qytetit bregdetar, ku agresori me thikë në dorë ka qenë duke dëmtuar një lokal dhe pronari ka njoftuar policinë.
Në momentin e ndërhyrjes së efektivëve për ta shoqëruar drejt komisariatit të policisë, agresori, identiteti i të cilit ende nuk dihet, ka dëmtuar njërin nga efektivët. Ky i fundit është plagosur lehtë dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Sipas dëshmitarëve në vendngjarje, autori tashmë i arrestuar ka tentuar të plagosë me thikë efektivin në pjesën e brinjëve, por jeleku i policisë e ka mbrojtur policin nga një dëmtim i mëtejshëm.
Ndërkohë ka nisur puna për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.