Pezullimi i fondeve për bujqësinë, Berisha: KE të hetojë edhe projektet në infrastrukturë

Ish kryeministri Sali Berisha ka reaguar lidhur me lajmin se BE ka ndërprerë fondet për Shqipërinë pas hetimeve se me to po abuzohet duke mos iu shpërndarë siç duhet fermerëve.

Berisha tha se paratë shpërdorohen nga agjencitë qeveritare shqiptare që nxjerrin “Akademi çobanësh dhe Maternitet Mushkash”. Ish kryeministri i ka kërkuar Komisionit Europian të hetojë edhe paratë e taksapaguesve europianë, që janë përdorur për investime në infrastrukturë në Shqipëri. Berisha tha se vjedhjet e ministrave të Ramës i gjen edhe në projektet e tjera, që duhen hetuar.

“Sot njoftohet se Komisioni Europian pezulloi për shkak të korrupsionit, fondet për bujqësinë shqiptare. Për shkak të vjedhjes dhe shpërdorimit nga kleptokratë të parave të BE që janë jetike për bujqësinë shqiptare.

Por këto para shpërdorohen dhe vidhen nga agjencitë qeveritare shqiptare. Ndaj na del edhe Akademia e Çobanëve tani dhe Materniteti i Mushkave. Por nuk është vetëm kjo vjedhje, unë i bëj thirrje Komisionit Europian, në interesin më të mirë të shqiptarëve, por edhe të taksapaguesve europianë, të hetojnë çdo projekt në infrastrukturë në Shqipëri dhe janë jo të pakta. KE ka financime të mëdha. Bajpasi i Vlorës është krejtësisht vepër e tyre dhe shume projekte të tjera. Se këta nuk vënë asnjë tabelë si mirënjohje, aty vihet tabela Salillari” tha Berisha.