Ministria e Jashtme mohon përfshirjen në sulmin ndaj korvetës ruse në Libi: Territori ynë nuk është përdorur

Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme ka reaguar lidhur me lajmet e publikuara në disa media të huaja, sipas të cilave një sulm me dron detar ndaj një anijeje luftarake ruse në Libi dyshohet se është nisur nga territori shqiptar.

Në një deklaratë zyrtare, diplomacia shqiptare i ka cilësuar këto raportime si të pavërteta dhe pa asnjë bazë faktike, duke mohuar kategorikisht çdo përfshirje të Shqipërisë në këtë incident.

Ministria sqaron se asnjë pjesë e territorit shqiptar nuk është përdorur dhe as nuk është vënë në dispozicion për organizimin, nisjen apo lehtësimin e një sulmi të tillë. Sipas saj, pretendimet e publikuara nuk mbështeten në prova dhe nuk pasqyrojnë realitetin.

Njëkohësisht, institucionet shqiptare u kanë bërë thirrje mediave dhe të gjithë aktorëve që kanë shpërndarë këto informacione që t’i rishikojnë dhe korrigjojnë raportimet, duke theksuar rëndësinë e verifikimit të fakteve, veçanërisht kur bëhet fjalë për çështje me ndjeshmëri të lartë ndërkombëtare.

Reagimi vjen pas raportimeve për një incident të rëndë në portin e Bengazit, në lindje të Libisë, ku korveta ruse “Mercury” dyshohet se është dëmtuar rëndë pas një shpërthimi.

Reagimi i plotë:

Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme ka marrë dijeni për raportimet sipas të cilave sulmi me dron detar kundër një korvete ruse e ka pasur origjinën nga territori shqiptar.

Raportimet në fjalë janë të pasakta dhe nuk pasqyrojnë faktet.

Shqipëria nuk ka qenë e përfshirë në këtë incident dhe territori i saj nuk është përdorur, e as nuk është vënë në dispozicion, për nisjen apo lehtësimin e një sulmi të tillë.

I hedhim poshtë kategorikisht këto pretendime, të cilat janë paraqitur pa prova të verifikueshme. U bëjmë thirrje atyre që janë përgjegjës për përhapjen e tyre që të korrigjojnë informacionin, si dhe të tregojnë saktësi, kujdes të duhur dhe përgjegjshmëri kur raportojnë për çështje të një ndjeshmërie të tillë.