Përsëritja e zgjedhjeve në Rrogozhinë, Edison Memolla i PS del fitues

Ka përfunduar procesi i numërimit të votave për Bashkinë Rrogozhinë dhe fitues ka rezultuar sërish kandidati i Partisë Socialiste, Edison Memolla.

Ditën e djeshme në bashkinë e Rrogozhinës u përsëritën zgjedhjet për kryetar bashkie pasi Kolegji i kishte shpallur zgjedhjet e 14 majit të pavlefshme.

Kandidati i Partisë Socialiste, Edison Memolla doli fitues duke kryesuar me 57.54 % , kundrejt 42.46% të votave që ka marrë kandidati i koalicionit “Bashkë Fitojmë” Shkëlqim Hoxha. Të përkthyer në vota rezultatet janë 6531 vota për kandidatin e PS dhe 4820 vota për atë të BF.

Menjëherë pas shpalljes së rezultatit Memolla ka dhënë intervistë për mediat ku ka shprehur falenderimin për ata që e votuan. Kandidati i PS tha se ka bërë një fushatë intensive duke shkuar derë më derë.

Surpriza e këtyre zgjedhjeve ishte numri i lartë i votuesve, në krahasim me 14 majin. Kujtojmë se ishte koalicioni opozitar dhe kandidati Shkëlqim Hoxha që kontestuan një kuti votimi në Burgun e Rrogozhinës, e cila përmbysi rezultatin në favor të kandidatit të Partisë Socialiste në pushtet, Edison Memolla.