Një aksident rrugor me pasojë vdekjen e një personi ka ndodhur rreth mesnatës në segmentin rrugor “Katër Rrugët e Shijakut”, në fshatin Pjezë.
Sipas njoftimit zyrtar të Policisë, automjeti tip Volkswagen, me drejtues një 19-vjeçar, banues në Shijak, është përplasur me një automjet tjetër tip Ford, që drejtohej nga 26 vjeçar, banues në Sukth, Durrës.
Si pasojë e përplasjes së fortë, 26-vjeçari ka ndërruar jetë në vendngjarje.
I riu 19-vjeçar është dërguar në spital për ndihmë mjekësore dhe ndodhet nën mbikëqyrjen e Policisë, ndërsa kanë nisur procedurat ligjore për zbardhjen e ngjarjes.
Grupi hetimor po vijon punën për të përcaktuar shkakun dhe rrethanat e plota të aksidentit tragjik.