PËRGJIMET/ “Ministrin që ma bëri kështu, për 7 breza do ta fshij”, kë kërcënon Erion Veliaj?

Gazetarja Klodiana Lala ka dhënë detaje mbi përgjimet që SPAK i ka bërë Erion Veliajt në paraburgimin e Durrësit, ku kryebashkiaku komunikonte me të afërmit nëpërmjet telefonave të policëve të paraburgimit.

Sipas gazetares, në një përgjim del Veliaj që thotë:” Ministrin që ma bëri kështu e s’më doli në mbrojtje se fal, për 7 breza do ta shkrij”.

Këto janë provat që prokurorët kanë përdorur në seancën e Apelit për të lënë në burg kryebashkiakun, ndërkohë që janë edhe shumë përgjime të tjera që do të përfshihen në dosjen e SPAK ndaj Erion Velaijt.

“Në dosjen Veliaj ka keqinterpretime të qëllimta. Pas izolimit të Veliajt ka pasur dyshim të arsyeshëm që brenda institucionit ka pasur celular, i futur në mënyrë të paligjshme. Është vendosur kontroll nga Drejtoria e Burgjeve dhe Ministria e Drejtësisë dhe grupi i gatshëm ka shkuar në qelinë e Veliajt dhe e kanë ‘përmbysur’. E vetmja mundësi kontakti me familjen, avokatin, e  njerëzit e besuar, ishte kabina telefonike brenda paraburgimit. SPAK ka marrë autorizim të veçantë për të përgjuar vëllain, bashkëshorten dhe njerëz që mund të flisnin me Veliajn.

Fokusi s’ka qenë historia mediatike, sikurse është tentuar të trajtohej, por se ka pasur dyshime të arsyeshme që Veliaj intimidonte dëshmitarët. Dhe flet qartë për dëshmitarët. Ministrin që ma bëri kështu e s’më doli në mbrojtje, se fal, për 7 breza do ta shkrij…etj. Këto prova janë përdorur për të lënë në fuqi masën e sigurisë ‘arrest në burg’.’Ols violina, Ols kafka’, s’mund të mbrohet kështu Erion Veliaj. Ka disa korniza ligjore mbrojtja, nëse ka prova le t’i çojë në institucione’, u shpreh Lala në Syri Tv.

Por cili është ministri që kërcënon Veliaj?

Në fakt, pothuajse të gjithë ministrat kanë heshtur në çështjen Veliaj dhe asnjë nuk i ka dalë në mbrojtje, përveç kryeministrit Rama, ndërsa edhe ky i fundit ka heshtur që në momentin kur urdhëroi deputetët e tij të mos bënin asnjë reagim për këtë çështje.

Nuk dihet se për cilin ministër e ka fjalën Veliaj, por kuptohet që brenda qeverisë ka edhe nga ata që janë gëzuar kur kanë parë kryebashkiakun prapa hekurave.