AfD kryeson në zgjedhjet rajonale, goditje e rëndë për Merz

Alternativa për Gjermaninë (AfD), parti e së djathtës ekstreme, doli e para në zgjedhjet rajonale të zhvilluara të dielën në verilindje të Gjermanisë, sipas projeksioneve të votimit. Rezultati përbën goditjen më të rëndë elektorale për partinë konservatore tradicionale të kancelarit Friedrich Merz që nga viti 1949.

“Është një katastrofë”, deklaroi Merz pasi u publikuan sondazhet në dalje të votimit, megjithëse ai sinjalizoi se do të vazhdojë të ushtrojë detyrën e kancelarit dhe të ndjekë agjendën e tij të reformave, pas spekulimeve se një rezultat i dobët mund ta detyronte të jepte dorëheqjen.

Sipas projeksioneve të televizionit publik ARD, AfD pritej të merrte 38.3% të votave në landin Mecklenburg-Pomerania Perëndimore, duke lënë pas Partinë Social-Demokrate (SPD), me 35.4%. Të dyja partitë ishin shumë përpara konservatorëve të Merz, të cilët, sipas numërimit të fundit, kishin zbritur në 4.9% — nën pragun prej 5% të nevojshëm për të hyrë në parlamentin e landit. Kjo do të nënkuptonte se konservatorët mund të mbeteshin tërësisht jashtë parlamentit rajonal.

Rezultati i së dielës i dha AfD-së fitoren e dytë si partia më e votuar në nivel landi vetëm këtë muaj. Partia kryeson edhe në sondazhet kombëtare të opinionit, por deri tani është mbajtur jashtë pushtetit për shkak të refuzimit të partive të tjera kryesore për të bashkëpunuar me të.

Në një tjetër proces zgjedhor të zhvilluar të dielën në kryeqytetin Berlin, partia e së majtës ekstreme Linke kryesonte me 25.3% të votave, ndërsa mbështetja për konservatorët e Merz, të cilët aktualisht qeverisin landin në koalicion me Social-Demokratët, ra në 19%. Edhe AfD forcoi pozitat në qytetin tradicionalisht liberal, duke arritur në 16.3%.

Ky është rezultati i parë që e vendos Linke-n në krye të renditjes në Berlin. Partia kërkon, ndër të tjera, shtetëzimin e banesave në pronësi të kompanive private dhe vendosjen e një tavani për qiratë.

MERZ PREMTON VAZHDIMIN E REFORMAVE

Rezultatet e së dielës mund të mos përbëjnë një goditje vendimtare për Merz, por nivelet e ulëta të mbështetjes ndaj tij, reformat jopopullore dhe fitorja e AfD-së në zgjedhjet e mëparshme rajonale në Saksoni-Anhalt e kanë vënë në pikëpyetje të ardhmen e tij politike.

“Tani do të bëhet edhe më e vështirë që qeveria federale të gjejë kurajën dhe mbështetjen politike për një program reformash themelore”, deklaroi për Reuters Marcel Fratzscher, president i institutit kërkimor DIW, me seli në Berlin.

Nëse partitë e koalicionit qeverisës u qëndrojnë vijave të tyre të kuqe, tha ai, “paraliza politike do të ngulitet më tej, dobësia ekonomike do të vazhdojë dhe gjasat për një fitore elektorale të AfD-së në vitin 2029 do të rriten më tej”.

Kryeministrja e landit Mecklenburg-Pomerania Perëndimore, Manuela Schwesig, një figurë e njohur e SPD-së, kishte përmirësuar pozitat e saj në sondazhe përpara zgjedhjeve, duke kritikuar hapur si AfD-në, ashtu edhe reformat e qeverisë federale të drejtuar nga Merz.

Schwesig tha gjithashtu se AfD kishte fituar vota duke kritikuar mbështetjen e Gjermanisë për Ukrainën. Ajo kishte mbështetur më herët gazsjellësit Nord Stream, të cilët transportonin gazin rus përmes brigjeve të landit të saj në Detin Baltik drejt Gjermanisë, përpara se tubacionet të shpërthenin në vitin 2022. Më vonë, ajo ndryshoi qëndrim.

“Së pari, në landin tim shumë njerëz janë kundër mbështetjes për Ukrainën, si asaj financiare, ashtu edhe asaj ushtarake”, tha ajo.

“Dhe së dyti, shumë njerëz dëshirojnë që furnizimi me energji përmes Nord Stream të rifillojë.”

Zëvendëskancelari gjerman Lars Klingbeil, i cili është gjithashtu kreu i SPD-së, sinjalizoi se dëshironte një ndryshim kursi, duke iu referuar shqetësimeve të votuesve lidhur me reformën e sistemit të pensioneve.

Por Merz këmbënguli edhe më fort në agjendën e reformave, për të cilat ai thotë se do të ndihmojnë në ringjalljen e rritjes ekonomike të ngadalësuar në ekonominë më të madhe të Evropës.

“Ajo që duhet bërë tani kërkon kurajë, vendosmëri dhe durim”, tha ai. “Madje do të shkoja aq larg sa të thosha se këto reforma janë antidoti ndaj helmit autoritar që po depërton gjithnjë e më thellë në shoqërinë tonë, i nxitur nga joshja e autoritarizmit.”

Zgjedhjet në Mecklenburg-Pomerania Perëndimore, një land kryesisht rural në pjesën lindore të Gjermanisë, e cila dikur ishte nën regjimin komunist, dhe në Berlin pasojnë zgjedhjet e 6 shtatorit në Saksoni-Anhalt, ku AfD iu afrua arritjes së rrallë të sigurimit të shumicës absolute.

Në pak më shumë se një dekadë, partia — e cila kërkon masa të ashpra për dëbimin e të huajve që nuk kanë të drejtë të qëndrojnë në Gjermani, rikthimin e marrëdhënieve energjetike me Rusinë dhe daljen nga eurozona — është shndërruar nga një lëvizje periferike euroskeptike në partinë më të mbështetur në vend.

Suksesi i saj në Saksoni-Anhalt, të cilin AfD e sheh si hapin e parë drejt fitores në zgjedhjet federale të vitit 2029, ka shkaktuar tronditje në të gjithë Evropën.

Rezultatet e së dielës nënvizojnë përparimin e AfD-së gjatë viteve të fundit dhe ngrenë sërish pikëpyetje mbi strategjinë e të ashtuquajturit “mur mbrojtës” (“firewall”), përmes së cilës partitë e tjera kryesore refuzojnë të lidhin marrëveshje koalicioni me AfD-në.

MERZ KA HASUR VËSHTIRËSI

I zgjedhur vitin e kaluar me premtimin për reforma që do ta rikthenin ekonominë e ndenjur të Gjermanisë në rrugën e rritjes, Merz ka hasur vështirësi në fitimin e mbështetjes së votuesve. Një seri gabimesh në komunikim kanë shtuar pakënaqësinë lidhur me reformat jopopullore në pensione, taksa dhe shëndetësi.

Pakënaqësia ndaj qeverisë së tij ka dominuar fushatat zgjedhore si në Mecklenburg-Pomerania Perëndimore, ashtu edhe në Berlin, ku votuesit janë përqendruar te rritja e kostove të energjisë dhe të banesave. Të premten, Merz prezantoi një paketë masash për lehtësimin e barrës mbi konsumatorët, e cila përfshinte ulje të taksave për gazin dhe naftën dizel.

Disa prej personave që votuan në Mecklenburg-Pomerania Perëndimore thanë se kostoja e jetesës ishte një shqetësim madhor.

“​​Këtu në Schwerin, me këto paga, mezi mund të përballosh më ndonjë gjë”, tha për Reuters votuesja Carlotta Heick, në kryeqytetin e landit.

Një burrë i moshuar kritikoi fondet e akorduara për ndihmën e huaj. “Na duhen paratë këtu, për vendin tonë, për fëmijët dhe pensionistët”, tha ai, duke kërkuar që emri i tij të mos bëhej publik.