Klodian Çalamani, vrasësi i vogëlushit 8-vjeçar Mateo Vasiu është dënuar me burg të përjetshëm.
40 vjeçari është shpallur fajtor për “Vrasje në rrethana të tjera cilësuese ndaj të miturit” dhe “Marëdhënie seksuale ose homoseksuale me dhunë ndaj të miturve” dhe është dënuar me burg përjetë nga Gjykata e Fierit.
Në datën 16.11.2021 babai i Mateo Vasiut, ka bërë kallëzim penal rreth orës 14:58 pasi është njoftuar në telefon nga bashkëshortja se djali i mitur nuk ka ardhur në banesë dhe nuk dihej vendndodhja e tij, duke dhënë dhe karakteristikat e fëmijës dhe veshjen e tij.
Menjëherë pasi është marrë kallëzimi penal Nr.1262, shërbimet e Komisariatit të Policisë Fier, kanë shkuar në fshatin Grecalli, ku kanë kryer verifikime dhe kontroll territori.
Është bërë identifikimi i biçikletës që përdorte viktima dhe ka rezultuar se një të tillë e dispononte i dyshuari Klodian Çalamani banor i këtij fshati, i cili e kishte banesën rreth 100 m larg banesës së të miturit.
Gjatë kontrollit të banesës është dalluar një pjesë toke e punuar ku pas gërmimit u gjet trupi pa jetë i viktimës. Në këto kushte, është bërë prangosja dhe shoqërimi i të dyshuarit Klodian Çalamani.
Në analizë të të gjitha provave të grumbulluara, rezulton e provuar se i pandehuri, para se të kryente veprën penale të “Vrasjes në rrethana cilësuese ndaj të miturit” të parashikuar nga neni 79 germa “a”, ka konsumuar fillimisht veprën penale të “Marrëdhënies seksuale ose homoseksuale me të mitur me dhunë, të parashikuar nga neni 100/2 i K.Penal.
Pas kryerjes së aktit homoseksual me dhunë ndaj të miturit, i pandehuri Klodian Çalamani, ka kryer vrasjen me sende të forta si kazmë e lopata.