Pas “ndarjes” nga Berisha, Evi Kokalari njofton partinë e re: Nisim nga baza që të jemi gati për 2025

Evi Kokalari, aktivistja shqiptaro-amerikane ka nisur zyrtarisht Levizjen Konservatore në Shqipëri, me sloganin “Ndryshimi fillon sot”, të cilën pret që ta kthejë shpejt në një parti.

Ditën e djeshme në Tiranë është bërë edhe prezantimi i kësaj lëvizje ku ajo kishte të ftuar special përfaqësues të Partisë Republikane në SHBA. Kokalari u shpreh se me këtë lëvizje të re synon të ndryshojë mentalitetin politik në vendin tonë. Ky veprim i fundit nga aktivistja vjen pas distancimit nga ish kryeministri Sali Berisha, të cilin e mbështeste deri para disa muajsh, por më pas iu kthye kundër duke e akuzuar se ai lejoi manipulimin e votave brenda PD dhe u bashkua me Ilir Metën.

“Dje ishte një fillim i mbarë. Lëvizja Konservatore Shqiptare i ka hedhur rrënjët tashmë. Fokusi nga sot do të jetë zgjerimi i saj dhe forcimi i kësaj Lëvizjeje me politikanë të fortë dhe të ndershëm që do ta përfaqësojnë popullin në parlament me dinjitet, dhe larg afereve korruptive”, ka shkruar ajo në një postim në Facebook.

Në prezantimin e bërë dje. Kokalari u shpreh e sigurt se shumë demokratë do i bashkohen kësaj nisme të re politike.

“Dalëngadalë këta të PD do na afrohen, sepse më shumë kohë që kalon, ata më shumë lodhën. Momentalisht ata ndihen të lodhur. Ne duhet të ngremë elektoratin gri, dua t’ju falënderoj ju, pasi shumë prej jush mund të keni pasur kërcënime për të mos marrë pjesë në këtë takim sot”, theksoi Kokalari.

Kokalari prezantoi edhe objektivin që ka kjo lëvizje e re politike për procesin e ardhshëm elektoral të 2025-ës.

“Do fillojmë nga baza. Do mbledhim bazën dhe mund të kthehet në parti politike në çdo moment para zgjedhjeve të 2025. Por deri sa të vijnë zgjedhjet, ajo që dua unë të bëj është që të mbledh 140 vetë me karakter të fortë dhe me integritetin e duhur që të hyjnë në Parlament”, u shpreh ajo.