Pas një situate të tensionuar në KZAZ nr. 40 në Tiranë, ku përfaqësuesit e Partisë Mundësia kontestuan pavlefshmërinë e disa fletëve votimi për shkak të diferencave në ngjyrë, komisioni ka marrë një vendim zyrtar: të gjitha votat e kontestuara do të quhen të vlefshme.
Partia Mundësia denoncoi publikisht se shtatë vota të partisë së tij ishin shpallur të pavlefshme pa një arsye të qartë.
Drejtuesi i partisë Agron Shehaj, pohoi për mediat se kjo ishte përpjekje për t’i hequr votat që mund t’u siguronin mandatin e dytë në Tiranë.
Pas këmbënguljes, KZAZ vendosi në favor të kërkesës së Partisë Mundësia, ndërsa votat u vlerësuan si të vlefshme.
“Votat që na i shpallën të pavlefshme, tani do të konsiderohen të vlefshme. Që nga fillimi i procesit janë numëruar qindra fletë të ngjashme dhe nuk është ngritur asnjëherë shqetësimi për ngjyrën. Ishte hera e parë që dëgjonim një justifikim të tillë. Pas dy orësh debatesh, ato vota do të llogariten si të rregullta,”, deklaroi Shehaj.
Partia Mundësia sipas rezultatit të deritanishëm ndodhet shumë pranë sigurimit të një mandati tjetër në qarkun e Tiranës.
Nga rezultatet e afishuara në faqen e KQZ, Partia Mundësia është forcë e tretë në qarkun e Tiranës.