Komisioni i Ligjeve ka miratuar projektligjin e Partisë Socialiste për pagat e magjistratëve. Drafti i PS-së u miratua me 8 vota pro të mazhorancës dhe 3 vota kundër të opozitës.
Ku draft hasi në kundërshtinë e KLGJ-së, KLP-së, Gjykatës së Lartë dhe institucioneve të tjera të drejtësisë, të cilat thonë se propozimi nuk respekton standardin e vendosur nga Gjykata Kushtetuese.
“Nuk jemi njohur me detaje, por rritja është minimale, ka një diferencë të madhe me vendimin tonë, nuk reflekton standardin e vendosur nga gjykata kushtetuese”, tha kryetarja e KLP Mirela Bogdani.
“Vendimi i Gjykatës Kushtetuese, jo orientim, por detyrim, ka caktuar detyrimin dhe afatin, e më tej pasojat. Gjykata e Lartë nuk kundërshton në parim që ligjvënësi të propozojë një referencë të re, por ajo që keni propozuar ju, nuk e realizon plotësisht standardin e vendosur nga gjk, ne propozojmë një mekanizëm që sjell respektimin real të Gjykatës Kushtetuese”, tha zv. kryetari i Gjykatës së Lartë Ilir Panda.
Po ashtu, kundër draftit u rreshtua edhe opozita, e cila kërkoi rrëzimin e ndryshimeve dhe kritikoi qeverinë për mënyrën e përcaktimit të pagave në sistemin e drejtësisë.
Pas miratimit në Komisionin e Ligjeve, projektligji pritet të kalojë për votim në seancën plenare të 17 shtatorit.
Drafti parashikon që paga referuese e magjistratëve të jetë sa 0.38 e pagës së Presidentit të Republikës, nga 0.36 që ishte më parë.