Kosova me sytë nga Haga, Konjufca: Presim vetëm një vendim, lirimin e katër ish-krerëve të UÇK-së

Ish-krerët e UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi, presin sot aktgjykimin e shkallës së parë të Dhomave të Specializuara në Hagë.

Ndërsa afrohet nisja e seancës, qindra qytetarë janë mbledhur pranë ndërtesës së Dhomave të Specializuara në Hagë.

Disa prej tyre mbajnë flamuj të UÇK-së, si dhe fotografi të Thaçit, Veselit, Selimit dhe Krasniqit.

Ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Glauk Konjufca, ka arritur në objektin e Gjykatës Speciale në Hagë.

Ai para se të futet në gjykatë tha se ishin dhjetëra figura ndërkombëtare që e dëshmuan luftën e drejtë mbrojtëse të popullit shqiptar të Kosovës.

“Ajo luftë u zhvillua nga UCK-ja, këtë ushtri e drejtoi shtabi i përgjithshëm dhe në këtë shtab kurrë nuk ka pasur asnjëherë ndonjë mekanizëm të përbashkët kriminal”, tha Konjucfa i cili gjithashtu u shpreh se Kosova pret vetëm një vendim, atë të aktgjykimit lirues.

Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, përfshirë përndjekje, burgosje, torturë, vrasje dhe zhdukje me forcë.

Të katërt i kanë mohuar akuzat. Prokuroria ka kërkuar nga 45 vjet burgim për secilin, ndërsa mbrojtja ka kërkuar shpalljen e tyre të pafajshëm.

I pari që do të dëgjojë aktgjykimin do të jetë Hashim Thaçi, i ndjekur nga Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe, në fund, Jakup Krasniqi.