Nuk iu bind Nikollës dhe bllokoi Foltoren, Flamur Noka përjashtohet me 10 ditë nga Kuvendi, “shpëtojnë” 4 deputetët e tjerë të opozitës

Deputeti i PD, Flamur Noka është përjashtuar me 10 ditë nga punimet e Kuvendit pas tensioneve në seancën e së enjtes.

Noka u përplas me kryetaren e Kuvendit, Lindita Nikolla ndërsa kjo e fundit e përjashtoi nga seanca. Por pavarësisht kësaj, Noka nuk iu bind dhe qëndroi brenda në sallë, duke bllokuar edhe Foltoren.

Ndërkohë Sekretariati i Etikës nuk dha asnjë masë ndëshkimore për 4 deputetët e tjerë demokratë, pavarësisht kërkesës së socialistëve.

Këta të fundit kishin bërë kërkëse për masë disiplinore edhe për Gazment Bardhin, Edi Palokën, Ervin Salianjin dhe Luan Baçin.

Rikujtojmë se kaosi në Kuvend erdhi pas kërkesës së Bardhit për rikthimin e Sali Berishës në grupin parlamentar demokrat, kërkesë kjo e cila gjeti kundërshtimin e shumicës.

Përveç tensioneve në Kuvend, pati përplasje edhe jashtë tij, për shkak të protestës së thirrur nga opozita, pas publikimit të pjesës së dytë të reportazhit të “Report” në RAI3 ndaj Shqipërisë.