Nuk i dha lamtumirën e fundit! Hashim Thaçi mbërrin në Kosovë, viziton varrin e të atit

Ish presidenti i Kosovës Hashim Thaçi ka mbërritur në Kosovë pasi Gjykata e Hagës i ka dhënë lejë për të vizituar varrin e babait të tij, Haxhi Thaçi, i cili u nda nga jeta pak ditë më parë.

Mediat në Kosovë raportojnë se aeroplani privat me të cilin udhëtonte Thaçi është nisur nga Roterdami në orën 08:00 dhe ka mbërritur në aeroportin e Prishtinës në orën 10:00. Më pas ai u nis drejt fshatit të lindjes, në Burojë të Skënderajt ku dhe u varros i ati i tij. Haxhi Thaçi ndërroi jetë më 16 mars për shkak të problemeve shëndetësore.

Hashim Thaçi po përballet me një proces të tejzgjatur gjyqësor pranë Dhomave të Specializuara të Kosovës – të njohura si Gjykata Speciale.

Ai po qëndron në paraburgim prej nëntorit të vitit 2020 nën akuzat për krime të pretenduara të luftës, shkruan KosovaPress.Gjykimi ndaj tij ka nisur në prill të vitit 2023. Bashkë me Thaçin, po gjykohen edhe Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi.