Një socialist zgjidhet në krye të Këshillit Bashkiak në Himarë, Fredi Beleri “i përshëndet” nga burgu

Ditën e sotme është konsituuar Këshilli Bashkiak i Himarës. Fredi Beleri, kryetari i zgjedhur i kësaj bashkie më 14 maj, nuk mundi të betohet si kryetar, pasi GJKKO i rrëzoi kërkesën për të qenë pjesë e betimit.

Por ai i përshëndeti anëtarët e Këshillit përmes një letre nga qelia e burgut, aty ku ndodhet prej datës 12 maj, pasi akuzohet për blerje votash për zgjedhjet e 14 Majit.

Të pranishëm në mbledhje ishte ambasadorja e Greqisë , Konstantina Kamitsi, ndërsa në krah të saj qëndronte nga njëra anë Vangjel Dule. Gjithashtu, të pranishëm ishin edhe djali dhe bashkëshortja e Fredi Belerit.

Këshilli Bashkiak i Himarës do të drejtohet nga Dhimitër Kapaj i cili është nga radhët e socialistëve. Gjatë mbledhjes së sotme, Kapaj arriti të marrë pesë vota më shumë se kandatja e koalicionit “Bashkë Fitojmë”, Afroviti Dhimojani.

Nga 21 këshilltarë, Dhimitër Kapaj mori 13 vota ndërsa Afrovita Dhimojani 8 vota.

Ndërkohë, kjo mbledhje që në fillim të saj u shoqërua me një sërë tensionesh. Ishin mbështetësit e Belerit ata të cilët “blinduan” Bashkinë e Himarës duke kërkuar që prezent në ambientet e insitucionit të ishin vetëm mbështetësit e kryebashkiakut.