E ngarkuara me punë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë, Nancy VanHorn, ka zhvilluar në orët e para të mëngjesit një takim të papritur me Presidentin Bajram Begaj.
Burime për mediat bëjnë me dije se ka qenë VanHorn, e cila ka kërkuar një takim urgjent me Begajn në Presidencë.
Deri tani nuk dihen arsyet e këtij takimi mes VanHorn dhe Begajt, por kujtojmë se vjen një ditë pasi Këshilli i Ministrave i dërgoi Presidentit vakancën për Bashkinë e Tiranës dhe Presidenti duhet që brenda 48 orëve të shpall datën e re të zgjedhjeve.
Nga ana tjetër, kryebashiaku i shkarkuar, Erion Veliaj e ka çuar çështjen e tij në Gjykatën Kushtetuese. Kjo e fundit në një reagim për mediat një ditë më parë u shpreh se me regjistrimin e kërkesës së tij, i gjithë procesi është pezulluar.
Veliaj argumenton se shkarkimi është i paarsyeshëm dhe se nuk ekziston asnjë shkelje e rëndë të provuar që të justifikojë masën ekstreme të largimit nga detyra, që erdhi me urdhër të kryeministrit Edi Rama.
Mes të tjerash, Veliaj thekson se mungesa në detyrë nuk është zgjedhur në mënyrë të vullnetshme nga ana e tij, por “me një gjendje objektive të imponuar prej një mase sigurimi personale, të vendosur nga gjykata”.