Nis procesi i votimit, qytetarët shqiptarë zgjedhin sot qeverinë e re

Ka nisur që prej orës 7:00 të mëngjesit të kësaj të diele votimi i qytetarëve shqiptarë, të cilët do të zgjedhin sot qeverinë e katër viteve të ardhshme. Orari zyrtar i votimit është deri në orë 19:00 ku më pas do të bëhet grumbullimi i materiale zgjedhore dhe më pas numërimi i votave.

Në këto zgjedhje kanë të drejtën për të votuar 3.7 milionë qytetare, përfshirë edhe Diaspora, që voton për herë të parë.114.642 janë zgjedhës që votojnë për herë të parë.

Rezultati i këtyre zgjedhjeve do ta përcaktoj përbërjen e re të Kuvendit të Shqipërisë si dhe cila parti do ta qeverisë vendin në katër vitet e ardhshme.

Ndërkohë duke u ndalur te fushata elektorale, kjo e fundit ka qenë kryesisht e qetë, e mbushur me premtime nga forcat politike, të cilat kanë zhvilluar takime me qytetarër nga veriu në jug të Shqipërisë.

Partia Socialiste me kryetar Edi Ramën kërkon mandatin e katërt në këto zgjedhje ndërsa Partia Demokratike kërkon të kthehet në pushtet pas 12 vitesh në opozitë. Në këto zgjedhje, PD është në koalicion me disa parti të tjera, si LSI, PDIU, PBDNJ, më atë që njihet si Koalicioni “Aleanca për Shqipërinë Madhështore” (AMSH).

Një faktor i rëndësishëm në këto zgjedhje janë edhe partitë e reja që pritet të marrin deputetë në Kuvend, si “Mundësia” e Agron Shehajt, apo “Lëvizja Bashkë”, e Arlind Qorrit dhe koalicioni “Nisma-Shqipëria Bëhet” nga Endri Shabani dhe Adriatik Lapaj.

Edhe vota e Diasporës do të ketë një rol përcaktues në këto zgjedhje. Kujtojmë se ora 19:00 është afati i fundit për mbërritjen e zarfeve me fletët e votimit. Zafet që mbërrijnë pas kësaj ore nuk do të pranohen, sic ka bërë me dije kreu i KQZ, Ilirjan Celibashi.  

Për votën e Diasporës pati një interes të lartë, sidomos nga shqiptarët që jetojnë në Itali, Greqi, Gjermani dhe SHBA, që kishin dhe numrim më të lartë të regjistrimeve.