Sapo SPAK nisi hetimet për Arben Ahmetajn, Partia Socialiste dhe Edi Rama e mënjanuan menjëherë, duke i hequr çdo post, ndërsa pas fletë-arrestit, marrëdhëniet mes tyre u shkëputën përfundimisht.
Sot, Arben Ahmetaj, ish-numri 2 i qeverisë dhe një nga personat më të afërt të kryeministrit Rama, i cili i besoi fondet e tërmetit dhe Financat e vendit, është kthyer në një “pentito”, jo përpara drejtësisë, por përpara qytetarëve.
Edhe pse me dëshmitë e tij kërkon që të shfajësojë veten duke ia lënë të gjithë fajin Ramës dhe disa ministrave të tjerë, në deklaratat e tij ka disa të vërteta që nuk mund t’i shpëtojnë vëmendjes së SPAK, sidomos kur bëhet fjalë për vjedhjen e miliona eurove, siç i tregon Ahmetaj.
Lexo edhe: Arben Ahmetaj: Rama, kreu i organizatës kriminale? Çfarë do Gys Agasi me kryeministrin në Davos
E ndërsa rrugët e Ahmetajt me Ramën janë ndarë, të njëjtin fat duket se do të ketë edhe kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj. Pasi SPAK njoftoi zyrtarisht se Veliaj është nën hetim, Rama nxitoi që t’i shtonte Tiranës disa drejtues politikë të tjerë, për ta përgatitur partinë për një arrestim të mundshëm të kryebashkiakut.
Jo vetëm kaq, por kundërshtarja e tij më e madhe brenda partisë, Belinda Balluku, i mori edhe lejet e ndërtimit në Tiranën që ai drejton, duke e lënë Veliaj me shumë pak pushtet.
Nëse Ahmetaj ka dalë hapur kundër Ramës dhe qeverisë, Veliaj e dha sinjalin e parë ditën që BKH i shkoi në shtëpi për kontrolle. Fotoja e tigrit ngriti dyshime, pasi shumë e cilësuan si një sinjal të tij për kryeministrin, se ndoshta do të vijë dita që edhe ai të bëhej si “tigri” (Arben Ahmetaj).
Lexo edhe: Mesazh për Ramën? Pas kontrolleve të SPAK, Veliaj poston tigrin në facebook
Ndërkohë, ndryshe nga 2 intervistat e para, në intervistën e tretë për Çim Pekën, Arben Ahmetaj ishte shumë më i kujdesshëm në fjalët e tij për Veliajn, ndërsa të gjitha sulmet i hodhi ndaj Edi Ramës dhe Belinda Ballukut, të cilën e akuzoi si plaçkitësen më të madhe të këtij vendi.
Madje, edhe në ato pak raste që përmendi emrin e Veliajt, u kujdes që të mos e akuzonte, por ta shfajësonte edhe për ato që e kishte akuzuar më herët. Le ti marrim me radhë:
1. Kanabizimi i Shqipërisë
Sipas Ahmetajt, Rama mblodhi qeverinë në Durrës për të diskutuar në lidhje me kanabizimin e vendit, por u kundërshtua nga 5 ministra, mes të cilëve përmendi veten dhe Erion Veliajn, krah Damian Gjiknurit, Saimir Tahirit dhe Ditmir Bushatit.
“Kanë qenë 5 veta që e kanë kundërshtuar atë që po ndodhtë me kanabizimin e vendit. Unë kam qenë më i zëshmi, edhe për shkak edhe të natyrë time. Por 5 ministra e kanë kundërshtuar. Erion Veliaj ka qenë ministër, e ka kundërshtuar. Saimir Tahiri që e beri ‘kokë turku’ dhe me tre çerek të zërit e ka kundërshtuar, Ditmir Bushati e ka kundërshtuar, Damian Gjiknuri e ka kundërshtuar, unë e kam superkundërshtuar. Kanabizimi i vendit është produkt i kreut të organizatës. Këta 5 ministra dhe të tjerë që nuk pipëtinin kanë kundërshtuar”, u shpreh Ahmetaj.
2. Lufta e brendshme në PS
Arben Ahmetaj zbuloi në intervistë se Belinda Balluku ka paguar njerëz për të organizuar protesta kundër Erion Veliajt. Ndryshe nga intervistat e kaluara kur tha se Veliaj dhe Balluku ishin bërë bashkë, tashmë ai akuzon vetëm Ballukun sepo tenton të largojë çdo kundërshtar të sajin brenda partisë.
“E di ti që këta të dy, po sidomos plaçkitësja ka paguar njerëz në protestat kundër Erjonit, kanë unitet këta tani, tani që ika unë uniteti është shumë i forcuar aty”, u shpreh Ahmetaj.
3. Inceneratori i Tiranës, Rama detyroi Veliajn?
Teksa në intervistat e para akuzonte Erion Veliajn dhe Edi Ramën se ishin pronarët faktikë të inceneratorit të Tiranës, në intervistën e tretë dallohej qartë që për Ahmetajn, akuzat ndaj kryebashkiakut kishin rënë. Madje ai tha se “inceneratorin e Tiranës e ka bërë Edi Rama në 2017 ka thërritur 2 njerëz, midis tyre Erion Veliaj dhe i ka detyruar që të vazhdojë procesi përpara”.
Nuk mbaron këtu, por Ahmetaj shprehu edhe keqardhjen për Erion Veliaj që është në atë situatë, teksa hodhi akuza se Rama ka në dorë se kur do ta arrestojë Erion Veliajn, për t’i treguar qytetarëve se drejtësinë e solli ai dhe jo amerikanët.
“Dhe, mua më vjen shumë keq që Erioni është në atë situatë, nuk e dëshiroj unë që Erionit të jetë në atë situatë. Le te vazhdojë Bela mafia të kapë historinë ta përplasi aty ku e përplas. Por një gjë dua t’ia them, ti nuk mund të hetohesh duke qenë kryetar bashkie. Ti s’duhet të arrestohesh, duhet të gjykohesh në liri, po familja jote meriton të ketë dinjitetin që meriton, nuk ka rëndësi se çfarë është gjetur e cçfarë jo deri ditën që gjykata e painfluencuar të flasë, por ti duhet ta lesh detyrën. Nuk i konvenjon Edi Ramës, unë nuk e di çfare i konvenjon Edi Ramës, ta arrestohesh tani, apo pas zgjedhjeve. Do që ta arrestojë tani para zgjedhjeve që t’u tregojë se amerikanët sollën Noc Rrokun, unë e kam drejtësinë. Sot e ka çuar në buzë greminës Erionin, e ka eleminuar politikisht. Tani i thotë Erionit se pas zgjedhjeve do ta shkatërrojmë SPAK-un”, u shpreh Ahmetaj ndër të tjera.
Nga fotoja e tigrit, te heqja e akuzave ndaj Erion Veliajt, a mund të ketë një marrëveshje mes të dyve për të fundosur qeverinë e Edi Ramës?