Arrestohet e dashura e Safet Bajrit, dyshohet të jetë përfshirë në vrasjen e Fatbardh Licit

Arrestohet e dashura e Safet Bajrit, “të fortit” të Shkodrës, i cili u arrestua pak ditë më parë i akuzuar për vrasjen e Fatbardh Licit në 2018-ën.

Partnerja e Safet Bajrit është arrestuar pasi akuzohet si e përfshirë në ekzekutimin e Licit. Ndaj saj GjKKO ka caktuar masën e “arrestit me burg”, sipas burimeve të gazetares Klodiana Lala.

Sipas hetimeve të SPAK, vrasja e Fatbardh Licit erdhi si hakmarrje për ekzekutimin e ish-policit Boran Bërçana dhe partneres së tij Silvi Ndoci. Skena e krimit tronditës në korrik të 2018-ës ka ndodhur përpara syve të djalit 2-vjeçar.

Ndërkohë SPAK po kryen hetime për Safet Bajrin si i përfshirë edhe në masakrën në Dobraç, ku mes 4 viktimave ishte edhe vëllai i Ibrahim Licit, Hamza Lici.

Kujtojmë se Safet Bajri u arrestua më datë 21 shkurt me urdhër të Gjykatës së Posaçme. Ai u prangos nga forcat RENEA në Shkodër dhe u soll nën masa të forta sigurie fillimisht në drejtorinë e policisë së kryeqytetit dhe më pas u transferua ne paraburgimin 313.