Tragjedia e çiftit shqiptar në Greqi, del ekspertiza: Gruaja u godit mbi 40 herë me thikë

Detaje të reja janë zbardhur nga tragjedia e regjistruar të mërkurën në Selanik të Greqisë, ku 44-vjeçarja Valentina Menkshi u masakrua me thikë nga bashkëshorti i saj, Afrim Menkshi brenda banesës. Pas krimit, ai u hodh nga ballkoni duke i dhënë fund jetës.

Sipas rezultateve të ekspertizës mjeko-ligjore të trupit të 44-vjeçares, ajo duket se ka marrë mbi 40 plagë me thikë në pjesë të ndryshme të trupit. 53-vjeçari dyshohet se ka përdorur katër thika të ndryshme për t’i marrë jetën, të cilat janë gjetur gjurmë gjaku mbi to dhe janë sekuestruar nga policia.

Viktima sipas mediave greke, mësohet se ka marrë plagë në qafë, fytyrë, në krahë dhe në bark, goditje të cilat kanë qenë të forta.

Ndërkohë raportohet se dy vajzat e çiftit shqiptar, 16 dhe 21 vjeçe, ndodhen në gjendje shoku dhe mësohet se nuk kanë mundur të dëshmojnë në polici.

Një mikeshë dhe kolege e ngushtë e 44-vjeçares, tha për mediat greke se nuk mund ta besojë atë që ndodhi, pasi ajo shkonte në punë çdo mëngjes me viktimën: “Ajo më thoshte se kishte probleme me burrin e saj, por nuk më dha asnjë detaj. Ishte gjithmonë e buzëqeshur dhe përballonte gjithçka pa u ankuar, pavarësisht vështirësive që po kalonte”.