Pak ditë më parë një aksion i Prokurorisë Themelore të Prizrenit çoi në ndalimin e 109 personave, kryesisht komisionerë, të cilët dyshohet se kanë manipuluar votat dhe kanë falsifikuar dokumentet zgjedhore të zgjedhjeve të parakohshme të 28 dhjetorit.
Këto manipulime detyruan Komisionin Qendror të Zgjedhjeve në Kosovë që të përsërisë procesin e numërimit, çfarë nxori në pah mospërputhjet e mëdha të votave për shumë kandidatë, të cilëve u ishin shtuar apo hequr mijëra vota.
Por, teksa në Kosovë u morën masa të menjëhershme për manipulimin e votave, në Shqipëri prej disa muajsh nuk është bërë asgjë për të vënë para drejtësisë komisionerët dhe numëruesit e votave të 11 Majit në qarkun e Fierit, ku rinumërimi tregoi se si ishin tjetërsuar votat e qytetarëve.
Rasti më flagrant ishte ai i ish-zv.ministrit Ceno Klosi, i cili përfitoi 813 vota më shumë sesa kishte marrë realisht, së bashku me kandidaten demokrate Silvana Hasaj, e cila rezultoi me afro 700 vota plus. Nga socialistët, më i dëmtuari ishte Klevis Jahaj, të cilit i ishin hequr padrejtësisht 497 vota.
Ajo çfarë e bën edhe më të madh skandalin ishte tjetërsimi i votave në favor të Zegjine Çaushit, e cila e kishte fituar mandatin në mënyrë të parregullt, teksa rinumërimi nxori fituese Maldrita Bardhon. Kjo e fundit, në mënyrë të papritur zgjodhi të tërhiqej nga mandati, për t’ia lënë vendin në Parlament Zegjine Çaushit.
Në atë kohë, drejtuesja politike e qarkut dhe zv.kryeministrja Belinda Balluku e cilësoi ndryshimin e rezultatit “produkt të gabimit njerëzor dhe të lodhjes”. Ajo këmbënguli se nuk pati “deformim të vullnetit”, pasi rezultati mes partive nuk ndryshoi.
Edhe pse SPAK para zgjedhjeve publikoi një strategji të posaçme me objektiv parandalimin dhe hetimin e veprave penale zgjedhore, deri më tani asnjë masë nuk është marrë për të vënë para drejtësisë komisionerët dhe numëruesit që tjetërsuan rezultatin e votimit.
Lexo edhe: BIRN: Tjetërsimi i qindra votave në qarkun e Fierit kalon pa ndëshkime