DETAJE TË REJA/ Operacioni kundër Call Center-ave mashtrues, dy kate u gjetën me dyer të mbyllura, arrestohen 4 persona

Një operacion i gjerë policor është zhvilluar mbrëmjen e djeshme në Tiranë, ku janë goditur tre qendra Call Center-ash të dyshuara për aktivitet të paligjshëm mashtrimi ndaj qytetarëve europianë.

Sipas burimeve zyrtare, gjatë aksionit janë sekuestruar rreth 1 milion euro cash, ndërsa janë lëshuar gjithsej 9 masa sigurie për personat e përfshirë. Konkretisht, 7 persona janë lënë në masën “arrest në burg”, ndërsa 2 të tjerë janë nën masën “ndalim i daljes jashtë vendit” dhe “detyrim paraqitje”.

Operacioni është zhvilluar në tre ambiente: dy prej tyre pranë zonës së Kopshtit Zoologjik dhe një tjetër në Rrugën e Kavajës. Në këtë të fundit, aktiviteti i Call Center-it zhvillohej në tre kate, ndërsa gjatë kontrollit dy prej kateve janë gjetur me dyer të mbyllura.

Burime nga hetimi bëjnë me dije se në ambientet e Rrugës së Kavajës janë konstatuar rreth 60 persona brenda në momentin e ndërhyrjes, ndërsa në total dyshohet se në këto struktura ishin të punësuar rreth 70 persona, kryesisht operatorë.

Operacioni është kryer nën drejtimin e Prokurorisë së Tiranës dhe në bashkëpunim të ngushtë me autoritetet gjermane dhe austriake, të cilat kanë luajtur një rol kyç në nisjen e hetimeve, duke ndarë informacionet e tyre me palën shqiptare.

Hetimet për këtë aktivitet kishin nisur prej rreth dy vitesh, pas sinjaleve të para nga partnerët ndërkombëtarë për një rrjet të organizuar mashtrimi.

Deri më tani, në pranga kanë rënë 4 persona, ndërsa vijojnë kërkimet për individët e tjerë të shpallur në kërkim. Mes emrave të identifikuar janë Eduart Dalla, Mateo Hoxha dhe Tedi Agastra, ky i fundit i njohur për precedentë të mëparshëm, pasi ka qenë nën hetim edhe në vitin 2024 në kuadër të një operacioni të lidhur me aktivitet në fushën e kriptovalutave.

Autoritetet vijojnë hetimet për të zbardhur plotësisht skemën e mashtrimit dhe për të identifikuar të gjithë personat e përfshirë në këtë rrjet.