Trump e propozoi për ambasador në Shqipëri, kush është gjenerali amerikan Eric Wendt

Presidenti amerikan Donald Trump ka propozuar gjeneral-lejtënantin në pension Eric Wendt për postin e ambasadorit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Shqipëri.

Emri i tij do tw shkojw për votim në Senat, dhe nëse do tw miratohet, Wendt do të vijë në vendin tonë për të marrë detyrën, si pasardhës i Yuri Kim, e cila u largua nga detyra në vitin 2023.

Wendt, i lindur më 7 tetor 1964 në Berkeley të Kalifornisë, konsiderohet një nga figurat më me përvojë në fushën e sigurisë dhe operacioneve speciale amerikane, me mbi tre dekada shërbim aktiv në ushtri. Gjatë karrierës së tij, ai ka kaluar katër vite e gjysmë në Këmbësorinë e Lehtë dhe rreth 30 vite në Forcat Speciale, duke mbajtur role komanduese në nivele taktike, operacionale dhe strategjike. Ai ka shërbyer në 56 vende të ndryshme.

Detyra e tij e fundit ishte si komandanti i pestë i Shtabit të Operacioneve Speciale të NATO-s, nga e cila u largua më 29 janar 2021. Më herët, ai ka mbajtur një sërë pozicionesh kyçe, përfshirë Koordinator i Sigurisë i SHBA-ve për Izraelin dhe Autoritetin Palestinez gjatë periudhës nëntor 2017 – tetor 2019.

Gjithashtu, Wendt ka shërbyer si shef shtabi në Komandën e Paqësorit të SHBA-ve, komandant i Qendrës dhe Shkollës së Luftës Speciale “John F. Kennedy”, si dhe komandant i Operacioneve Speciale në Kore. Në Afganistan, ai ka mbajtur detyrën e zëvendëskomandantit në Komandën Rajonale Veri të Forcës Ndërkombëtare të Sigurisë.

Ai u emërua oficer në ushtrinë amerikane në vitin 1986 përmes programit ROTC në Universitetin e Kalifornisë në Santa Barbara, ku u diplomua në drejtësi dhe shoqëri. Studimet pasuniversitare i përfundoi në Shkollën Pasuniversitare Detare, duke marrë një diplomë master në çështjet e sigurisë kombëtare.

Wendt doli në pension më 1 mars 2021, pas më shumë se 34 vitesh shërbimi në ushtrinë amerikane. Propozimi i tij për ambasador në Shqipëri pritet të kalojë nëpër procedurat përkatëse të konfirmimit në institucionet amerikane.