Pranohet kërkesa e Durim Bamit, do të transferohet nga “313”-a në burgun e Fushë Krujës

Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve ka pranuar kërkesën e Durim Bamit për t’u transferuar nga 313 në burgun e Fushë Krujës. 

Avokati Ilir Murati kishte bërë kërkesë me pretendimin se klientit të tij i rrezikohej jeta në IEVP 313 në Tiranë.

Kërkesa, e depozituar pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, Ministria e Drejtësisë dhe Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, thekson se Bami aktualisht mbahet në ambientet e IEVP “Jordan Misja” (Burgu 313), ku ndodhen edhe persona që, sipas organit të akuzës, kanë qenë të përfshirë në plane për eliminimin fizik të tij.

Sipas deklarimeve të mbrojtjes, gjatë takimit të zhvilluar më 27 shkurt 2026 në ambientet e burgut, Bami ka shfaqur gjendje jo të mirë shëndetësore dhe stres të vazhdueshëm për shkak të situatës.

Për këto arsye, avokati kërkoi transferimin e menjëhershëm të Durim Bamit nga IEVP “Jordan Misja” në IEVP Fushë-Krujë dhe marrjen e masave të përkohshme emergjente të sigurisë deri në realizimin e transferimit.