Drejtorët e Ballukut, njëri i nënës e tjetri i njerkës! Ceno Klosi mori votat e Klevis Jahajt në qarkun e Fierit

Ceno Klosi dhe Klevis Jahaj janë dy ish-drejtorët e Belinda Ballukut, të cilët dolën më të votuarit në qarkun e Fierit dhe arritën të marrin mandatin e deputetit.

Për të dy u investua shumë në fushatë vetë ministrja, e cila i mbështeti hapur, Ceno Klosin në zonën e Fierit dhe Klevis Jahajn në Mallakastër, çfarë tregoi qartë se të dy nuk do ta kishin shumë të vështirë për të qenë pjesë e Parlamentit në Shtator.

Por procesi i rinumërimit tregoi qartë se cili ishte i preferuarve i numëruesve dhe vetë partisë. Nga rinumërimi, Ceno Klosi doli se kishte marrë 831 vota pa meritë në numërimin e parë, ndërkohë që Klevis Jahajt i ishin hequr pa të drejtë 497 vota.

Pra, në numërimin e votave, Ceno Klosi është trajtuar si i nënës, ndërsa Klevis Jahaj si i njerkës, pavarësisht se arriti të zgjidhej deputet.

Kujtojmë se Ceno Klosi, ish-drejtor i Tatimeve dhe tashmë zv.ministër në ministrinë që drejtohet nga Belinda Balluku, është nën hetim nga SPAK për veprat penale të “korrupsionit”, “shpërdorimit të detyrës”, “mashtrimit” dhe “falsifikimit të dokumentave”. 

Ai është paraqitur disa herë në Prokurorinë e Posaçme për t’i marrë në pyetje, teksa nuk dihet nëse Bëalluku do të jetë në gjendje të shpëtojë një nga njerëzit e saj më të besuar nga “kthetrat” e drejtësisë, që kanë gjetur shumë shkelje për Ceno Klosin.