Në kërkim nga SPAK si pjesë e dosjes “Metamorfoza”, arrestohet në aeroportin e Milanos “Leksi i druve”

Është arrestuar në Itali 47-vjeçari nga Lezha, Aleks Ndreka (Deda) i njohur edhe si “Leksi i druve”.

Ndreka është arrestuar në aeroportin e Malpensas në Milano tre ditë më parë.

Ai ishte i shpallur në kërkim në kuadër të operacionit “Metamorfoza”  me urdhër të SPAK  dhe ishte në masën “arrest në burg” në mungesë. Aleks Ndreka njihej ndryshe edhe si “spiuni i Bajrave”. Ai u jepte atyre informacion lidhur me lëvizjet e Ibrahim Licit dhe Dorian Dulit.

Në vitet e fundit, ai u ka shpëtuar tre atentateve, ku i fundit ishte nga ajri, ku kundërshtarët kanë tentuar ta eliminonin fizikisht përmes një droni, por nuk ia arritën dot.

Ai është sulmuar edhe në vitin 2020 në superstradën Lezhë Laç. Aty mbeti i plagosur, por arriti të shpëtojë pasi u largua nga zona dhe shkoi vetë në spitalin rajonal të Lezhës ku mori ndihmën mjekësore. Autorët edhe në atë rast arritën të humbin gjurmët, pasi dogjën makinën në fshatin Pllanë të Lezhës.

Po ashtu, edhe marsin e 2022 drejt tij është qëlluar me armë zjarri nga persona ende të paidentifikuar, por nuk e zuri asnjë plumb.

Aleks Ndreka (Deda) është i njohur edhe me përplasjet me ish-deputetin e PS-së, Arben Ndoka, për të cilët thuhet se u pajtuan në kishë me ndërmjetësimin e Ardian Nikulajt, i cili u ekzekutua një vit më parë.