Ministria dhe Mjedisi i mbytur në plehra

Në kabinetin e ri qeveritar, kryeministri Rama vendosi të ndajë Ministrinë e Turizmit nga ajo e Mjedisit, duke e paraqitur këtë si një hap për t’i dhënë më shumë rëndësi një prej sektorëve më problematikë në vend. Në krye të kësaj ministrie u vendos një emër i ri, Sofjan Jaupaj.

Ndarja u bë për faktin se mjedisi mbetet një nga kapitujt më të vështirë për t’u mbyllur, për shkak të problematikave të thella që Shqipëria ka prej vitesh. Por sot, më shumë se 8 muaj nga ky emërim, realiteti në terren tregon një histori krejt tjetër.

Jo vetëm që nuk ka përmirësim, por situata duket se është përkeqësuar ndjeshëm. Plehrat vijojnë të digjen në landfille për shkak të mungesës së inceneratorëve, ndërsa ndotja po arrin nivele alarmante.

Pak ditë më parë, një qytetar nga Kukësi, Arben Trota, denoncoi gjendjen skandaloze të liqenit të Kukësit. Në pamjet e publikuara prej tij, liqeni shfaqet i pushtuar nga mbeturinat, një tablo që flet më shumë se çdo deklaratë zyrtare.

Denoncimi i qytetarit:

Ndërkohë, në të njëjtën kohë, Ministria e Mjedisit vazhdon të shfaqet në aktivitete “show” për pastrimin e bregdetit, ku shpesh numri i fotografëve duket më i madh se ai i punonjësve që pastrojnë.

Propaganda:

Denoncime të tjera kanë ardhur edhe nga përfaqësues të opozitës. Deputetja Ina Zhupa publikoi pamje nga hyrja e Parkut Kombëtar të Butrintit, një pasuri e mbrojtur nga UNESCO, e cila priste vizitorët e saj mes mbeturinash.

Një nga destinacionet më të rëndësishme turistike në Shqipëri, që duhet të ishte një kartë identiteti për vendin, sot ofron një panoramë turpëruese. Këto pamje rrëzojnë çdo përpjekje propagandistike dhe nxjerrin në pah realitetin e hidhur të menaxhimit të mjedisit.

Denoncimi i Ina Zhupës:

Përballë kësaj situate, Ministria duket se ka “gjetur zgjidhjen”, duke prezantuar një nismë të re: “Programin Kombëtar për Parandalimin e Krijimit të Mbetjeve”. Sipas ministrit, fokusi tani do të jetë te reduktimi i mbetjeve që në burim.

Por kjo ngre një pyetje të thjeshtë: pse kjo nuk u bë që në fillim?

Ndërkohë që për vite me radhë janë shpenzuar qindra miliona euro për inceneratorë që në shumë raste ekzistojnë më shumë në letra sesa në realitet, askush nuk mban përgjegjësi. Pagesat vazhdojnë, ndërsa plehrat shtohen.

Lexo edhe: Dështimi i Ministrisë së Mjedisit! Nga inceneratorët fantazmë te “ideja e re”, parandalimi i krijimit të mbetjeve